Një stuhi e fortë në Argjentinë ka lënë të paktën 13 persona të vdekur dhe të tjerë të plagosur në qytetin-port jugperëndimor të Bahía Blanca, sipas kryetarit Federico Susbielles dhe autoriteteve lokale.
Erërat arritën deri në 140 kilometra në orë në qytet të shtunën dhe të paktën 300 njerëz ishin evakuuar që nga ora 03:30 e mëngjesit me orën lokale të dielën, sipas autoriteteve lokale.
Këshilli i qytetit tha të shtunën vonë në mediat sociale se situata e shkaktuar nga stuhia ishte një "katastrofë", duke raportuar lëndime të shumta dhe disa prej tyre me lëndime jashtëzakonisht serioze.
Këshilli shtoi se situata më e rëndë ishte në klubin sportiv Bahiense del Norte, ku ndodheshin punonjësit e urgjencës mjekësore dhe të mbrojtjes civile.
Të dielën, kryebashkiaku Susbielles shpalli tre ditë zie, duke thënë: “Dua të riafirmoj solidaritetin tonë me familjet dhe të dashurit e 13 personave të vdekur. Prandaj, ne kemi shpallur zi në qytet për 72 orët e ardhshme”.
Ai u kujtoi qytetarëve rëndësinë e mbajtjes së sigurt duke qëndruar në shtëpi, duke shtuar: “Jemi ende në një situatë emergjente, me rrezik elektrik dhe rrezik për rënien e pemëve dhe strukturave”.
Ekipet e urgjencës së qytetit morën 103.544 telefonata për pemë të rrëzuara, linja elektrike dhe tabela, mes dëmeve të tjera, sipas një deklarate të dielën.
(A2 Televizion)