Agjencitë e udhëtimeve u bënë thirrje turistëve të mos e humbasin qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet për sigurinë, pasi një tërmet me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter u regjistrua në jug të qytetit bregdetar të Marmarisit, në Turqi, rreth 23 km në veri të Rodosit.
Banorët në Turqinë perëndimore dhe ishujt grekë u zgjuan të tronditur në orët e para të së martës, pasi lëkundja e dhunshme u ndje përgjatë një zone të gjerë.
Një vajzë 14-vjeçare humbi jetën në qytezën e Fethijes pas tërmetit, pavarësisht faktit se u dërgua në spital. Siç mësohet, ajo pësoi një atak paniku si pasojë e tërmetit, shkruan A2 CNN. Të paktën 69 persona mbetën të plagosur gjatë përpjekjes për t’u hedhur nga lartësitë, pas panikut të shkaktuar nga lëkundjet e fuqishme.
Lëkundja, e cila u regjistrua në thellësinë prej 68 kilometrash, u ndje edhe përreth ishujve Dodekanezë, përfshirë Rodosin. Edhe pse atje nuk pati raportime për të plagosur apo dëme, turistë e vendas dolën masivisht nëpër rrugë, duke e kaluar natën nëpër parqe.
Sizmologët në Greqi thanë për mediat lokale se thellësia e tërmetit kishte bërë që ai të ndihej përgjatë një zone të gjerë. Megjithatë, ata sqarojnë se impakti në sipërfaqe nuk do të jetë i rëndësishëm, nuk do të ketë cunami apo paslëkundje të forta. (A2 Televizion)