Të paktën 18 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur në dy sulme të ndara në Kolumbi, duke thelluar krizën e sigurisë në vend në dekada.
Gjashtë persona humbën jetën dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën pasi një makinë-bombë shpërtheu në një rrugë të ngarkuar në qytetin perëndimor të Calit.
Më herët të enjten, një sulm me dron kundër një helikopteri policie vrau të paktën 12 persona në një zonë rurale jashtë qytetit veriperëndimor të Medellin.
Sulmet, të cilat u atribuohen fraksioneve të ndryshme disidente të grupit tani të shfuqizuar Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, paraqesin sfida të reja për proceset e brishta të paqes në Kolumbi përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Alejandro Eder, kryebashkiaku i Calit, urdhëroi gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin e tretë më të populluar të vendit. Ai njoftoi gjithashtu një ndalim të përkohshëm të hyrjes së kamionëve të mëdhenj në qytet dhe i bëri thirrje publikut të raportojë informacion në lidhje me incidentin për një shpërblim prej 10,000 dollarësh.
Pas të dy sulmeve, presidenti dhe udhëheqja ushtarake njoftuan se do të drejtonin një takim të këshillit të sigurisë për të "përcaktuar masa shtesë mbrojtëse" për qytetarët. (A2 Televizion)