Pas J.D Vance, Trump do të dalë të patrullojë rrugët e Uashingtonit, me policinë dhe ushtrinë

Nga A2 CNN
21 Gusht 2025, 21:10 | Bota

Pas J.D Vance, Trump do të dalë të patrullojë rrugët e

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot në një intervistë radiofonike se do të patrullojë rrugët e Uashingtonit mbrëmjen e sotme me policinë dhe ushtrinë.

Vendimi i Presidentit amerikan vjen vetëm një javë pasi vendosi trupa të Gardës Kombëtare në kryeqytet.

"Do të jem jashtë sonte, mendoj, me policinë dhe ushtrinë, sigurisht", tha Trump në një intervistë me emisionin radiofonik Todd Starnes të Newsmax.

Edhe një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi këtë gjë duke thënë se kishte dijeni mbi planin e Trump.

Trump vendosi mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe agjentë federalë në qytet në një thirrje të pazakontë të fuqive të tij presidenciale, duke përmendur një rritje të krimit të dhunshëm.

Zyrtarët e Uashingtonit e hodhën poshtë këtë pretendim, duke thënë se statistikat federale dhe të qytetit tregojnë se krimi i dhunshëm kishte rënë ndjeshëm pas një rritjeje që regjistroi në vitin 2023.

Sakaq, zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth vizituan dje trupat në Union Station, qendrën kryesore hekurudhore të Uashingtonit, ndërsa protestuesit u mblodhën aty dhe i fishkëllyen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos