30 mijë emigrantë në Guantanamo, Trump: Më të këqinjtë do t’i çojmë atje! Kundërshton Kuba

Nga Rosalba Bejdo
30 Janar 2025, 14:10 | Bota

Në burgun famëkeq të Guantanamo Bay, ku për vite kanë qëndruar e janë torturuar terroristë të dyshuar, Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të ndërtojë një qendër ndalimi për rreth 30 mijë emirgantët e paligjshëm.

Ai tha se struktura në bazën e marinës amerikane në Kuba, do të jetë e ndarë nga burgu ushtarak i sigurisë së lartë dhe do të presë “kriminelët më të këqinj të huaj që kërcënojnë popullin amerikan”, shkruan A2.

“Disa prej tyre janë aq të këqinj sa nuk kemi besim që t’ua lëmë në dorë vendeve sepse nuk i duam përsëri këtu, ndaj do t’i dërgoj në Guantanamo”, tha Trump.

Guantanamo Bay prej kohësh është përdorur për të strehuar emigrantë, një praktikë e kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u përpoq të zbuste konceptin e qendrës së re duke thënë se ajo nuk do të funksiononte si burg, por si strukturë e përkohshme për ata emigrantë të cilët vendet e origjinës refuzojnë t’i pranojnë. 

“Presidenti Trump ka qenë shumë i qartë me ato vende që do të refuzojnë të marrin mbrapsht kriminelët e tyre. Ne do t’u kërkojmë llogari. Në raste të tjerë ne duam të kemi një vend ku t’i mbajmë të sigurtë, e në mënyrë të përkohshme këta kriminelë. Guantanamo Bay është vend i përsosur”, tha Hegseth. 

Qeveria e Kubës nxitoi të dënonte planin duke akuzuar SHBA për torturë dhe burgosje të paligjshme në tokë të pushtuar. Trump e bëri njoftimin pak para se të nënshkruante në ligj, projektligjin e miratuar nga Kongresi për ndalimin e imigrantëve pa dokumente, të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme.

Ky është ligji i parë i nënshkruar nga Presidenti. Shtetet e Bashkuara e kanë marrë me qira tokën e Guantanamos nga Kuba për më shumë se një shekull. Kuba e kundërshton qiranë dhe zakonisht refuzon pagesat e SHBA-së. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos