30 vite pritje, Rusia rikthen në det "tmerrin" e Perëndimit

Nga A2 CNN
20 Gusht 2025, 22:37 | Bota

Pas një mungese prej gati 30 vitesh, Marina Ruse ka përsëri një kryqëzor beteje funksional. Kryqëzori me raketa bërthamore Admiral Nahimov është rikthyer në det për herë të parë që nga viti 1997, duke shënuar një moment kyç në modernizimin shumëvjeçar të këtij gjiganti të flotës sipërfaqësore.

Është anija luftarake më e rëndë dhe më e fuqishme e Marinës Ruse, e cila së shpejti duhet të bëhet anija e saj e re kryesore, duke zëvendësuar anijen simotër “Pjetri i Madh”. Lajmi për nisjen e anijes për prova në Detin e Bardhë u konfirmua nga media shtetërore ruse, dhe sipas TASS, informacioni iu përcoll personalisht Presidentit Vladimir Putin nga Andrei Kostin, drejtor i korporatës së ndërtimit të anijeve USC.

Kryqëzori i klasit Kirov, me gjatësi 252 metra dhe peshë deri në 28,000 ton, është tre herë më masiv se, për shembull, kryqëzorët amerikanë të klasit Ticonderoga. Për shkak të madhësisë, rrezes së veprimit dhe armatimit të tij, shpesh quhet "kryqëzor beteje" në Perëndim, një term që pothuajse nuk përdoret më në luftën moderne.

Ky kryqëzor ka një gamë të plotë radarësh dhe pajisjesh elektronike, duke përfshirë radarët modernë PESA, por ajo që tërheq më shumë vëmendjen është armatimi i tij raketor, pasi mban 20 raketa anti-anije P-700 Granit me një rreze veprimi deri në 625 km dhe një kokë luftarake 750 kg, mjaftueshëm e fuqishme për të fundosur pothuajse çdo anije në botë.

Anija është gjithashtu jashtëzakonisht e mbrojtur nga kërcënimet ajrore, pasi ka sisteme raketash S-300 me një rreze veprimi deri në 140 km (96 lëshues), sisteme Osa me rreze të shkurtër veprimi (40 lëshues), sisteme AK-630 dhe Kortik dhe një version të sistemit Tor.

Gjithashtu është shtuar një arsenal i përparuar anti-nëndetëse me sonar të dyfishtë, tuba torpedo dhe lëshues raketash për luftë anti-nëndetëse. Në bord ka edhe tre helikopterë shumëfunksionalë Kamov Ka-29.

Pavarësisht euforisë aktuale, rruga deri në këtë moment ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Rinovimi dhe modernizimi i anijes janë vonuar për vite me radhë dhe reaktorët e saj bërthamorë rinisën nga puna vetëm në shkurt të këtij viti. Tani, me provat detare të fabrikës që po zhvillohen, Admirali Nakhimov po hyn në fazat e fundit të kthimit të tij në shërbim aktiv, me ambicien për t'u bërë një simbol i fuqisë detare ruse në shekullin e 21-të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos