"33 vdekje nga uria në 48 orë", Guterres: Gaza po përjeton tmerr të paparë në histori

Nga A2 CNN
22 Korrik 2025, 18:37 | Bota

"33 vdekje nga uria në 48 orë", Guterres: Gaza po

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, është shprehur “i tronditur nga kushtet humanitare që po përkeqësohen me shpejtësi në Gaza, ku mjetet e fundit të jetesës që i mbajnë njerëzit gjallë po shemben", tha në një deklaratë Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm, ndërkohë që në 48 orët e fundit 33 vetë kanë humbur jetën nga uria.  Guterres shpreh keqardhje për raportet në rritje për fëmijë dhe të rritur që vuajnë nga kequshqyerja, vazhdoi zëdhënësi në një deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu dënon fuqimisht dhunën e vazhdueshme, duke përfshirë të shtënat, vrasjet dhe lëndimet e njerëzve që përpiqen të gjejnë ushqim për familjet e tyre.

"Civilët duhet të mbrohen dhe të respektohen dhe nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër. Popullsia e Gazës vazhdon të ketë mungesë të madhe të nevojave themelore. Izraeli ka detyrimin të lejojë dhe lehtësojë, me të gjitha mjetet në dispozicion të tij, ndihmën humanitare të ofruar nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera humanitare", shtoi zëdhënësi.

"Sekretari i Përgjithshëm thekson se intensifikimi i armiqësive në ditët e fundit ndodh në një kohë kur sistemi humanitar po pengohet, dobësohet dhe rrezikohet.

"Një urdhër i ri evakuimi në disa pjesë të Deir al-Balah, ku jetojnë dhjetëra mijëra njerëz, po i shtyn njerëzit në kushte edhe më të dëshpëruara dhe zhvendosje të mëtejshme, ndërsa kufizon aftësinë e Kombeve të Bashkuara për të ofruar ndihmë shpëtimtare", shtoi ai.

Stafi i OKB-së, specifikoi më tej ai, mbetet në Deir al-Balah, dhe dy shtëpi pritjeje të OKB-së u shënjestruan, "pavarësisht se palët janë informuar për vendndodhjen e ambienteve të OKB-së, të cilat janë të paprekshme. Këto vende, si të gjitha vendet civile, duhet të mbrohen, pavarësisht urdhrave të evakuimit."

Ndërkohë sipas drejtorit të Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRËA), që nga fundi i majit, më shumë se 1,000 njerëz të uritur janë vrarë ndërsa kërkonin ushqim në Gaza.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos