Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Tarquinia të Italisë, ku një burrë 78-vjeçar u rikthye në jetë, pak pasi u shpall zyrtarisht i vdekur.
78-vjeçari pësoi dy arreste kardiake dhe pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për ta mbajtur në jetë, mjekët e shpallën të vdekur.
Burri u vendos në barelë dhe më pas në një ambulancë jashtë shtëpisë së tij. Të afërmit, së bashku me mjekët dhe infermierët, pritën që të vinte makina e varrimit për ta marrë.
Megjithatë, pas rreth 30 minutash, ai hapi sytë, filloi të lëvizte dhe pyeti se ku ishin fëmijët e tij. Sipas mediave italiane, pas kësaj ai u dërgua menjëherë në spitalin më të afërt. Gjendja e 78-vjeçarit është tanimë e qëndrueshme dhe ai po komunikon normalisht.
Sipas ekspertëve, me shumë gjasa bëhet fjalë për të ashtuquajturën "sindromën Lazarus", e cila ka të bëjë me pacientët, zemrat e të cilëve kanë pushuar së rrahuri, por pas një periudhe relativisht të shkurtër kohore, ata kthehen në jetë.
Në gjuhën mjekësore ky është një riaktivizim spontan i funksioneve jetësore të trupit.
Deri më tani, nuk ka një shpjegim zyrtar se si funksionon sindroma, por shumë mjekë besojnë se mund të jetë për shkak të ajrit që grumbullohet në gjoks, gjatë përpjekjeve të ringjalljes kardiopulmonare, ose për shkak të një efekti të vonuar të barnave të administruara, gjithmonë gjatë dhënies së ndihmës së menjëhershme. (A2 Televizion)