Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të ndërmarrë sanksione të rëndë ndaj kundër bandave përgjegjëse për migrimin e parregullt, raporton A2 CNN. Në një njoftim zyrtar, ambasada britanike në vendin tonë njoftoi se duke filluar nga e mërkura, çdokush që është i përfshirë në ndihmën për kontrabandimin e njerëzve drejt Mbretërisë së Bashkuar mund të përballet me sanksione.
“Në kuadër të një regjimi të ri që ka si objektiv të ardhurat dhe materialet që mundësojnë migrimin e parregullt, individët e synuar do të përballen me ngrirje të aseteve, përjashtim nga sistemi financiar britanik dhe ndalim udhëtimi drejt MB-së. Sanksionet e reja janë mjeti më i fundit në arsenalin e MB-së për sigurimin e kufijve, pakësimin e migrimit të parregullt dhe zbatimin e Planit për Ndryshim. Çdokush që ndihmon në kontrabandimin e njerëzve drejt MB-së do të rrezikojë ngrirjen e aseteve të tyre dhe ndalimin e udhëtimit drejt Britanisë, sipas kompetencave të reja të shpallura sot nga Ministri i Jashtëm [e martë, 22 korrik]”, thuhet në njoftim.
Sanksionet do të vendosen ndaj bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të parregullt drejt MB-së, por edhe ndaj mundësuesve të tyre, si financuesit dhe kompanitë e përfshira në shitjen e pajisjeve për varka të vogla.
“Këto plane janë një shembull kryesor i përdorimit të qasjeve novatore të politikës së jashtme nga FCDO për të realizuar “Planin për Ndryshim” për popullin britanik. Ky regjim do të jetë i pari në botë i kushtuar goditjes së kontrabandimit të njerëzve dhe krimit të organizuar të migracionit, ku njerëzit vulnerabël shfrytëzohen nga kriminelët dhe rrjetet e tyre, një nga shtytësit kryesor të migrimit të parregullt drejt MB-së. Emigrantët që paguajnë kontrabandistët përballen gjithashtu me rrezikun e lartë të punuarit në kushtet e skllavërisë moderne, kthimit në vendin e origjinës ose humbjes së jetës në det”, thotë ambasada britanike”.
Sipas ambasadës, sanksionet mund të ndërpresin rrjedhën e parave dhe materialeve, përfshirë ngrirjen e pronave, llogarive bankare dhe aseteve të tjera, që i mundësojnë bandave të organizuara kriminale të lehtësojnë migrimin e parregullt drejt MB-së. “Sanksionet janë hartuar për të goditur individë kudo në botë, të cilët do të shpallen publikisht në mënyrë që të jetë e paligjshme për sistemin financiar britanik të bashkëpunojë me ta”.
Ministri i Jashtëm, David Lammy, u shpreh: “Për shumë kohë, bandat kriminale kanë mbushur xhepat e tyre të korruptuar dhe kanë shfrytëzuar shpresat e njerëzve vulnerabël pa u ndëshkuar, ndërsa nxisin migrimin e parregullt drejt MB-së. Ne nuk do ta pranojmë këtë gjendje. Është detyra jonë morale dhe pjesë kyçe e Planit për Ndryshim të bëjmë gjithçka që mundemi për të shkatërruar këto banda dhe për të siguruar kufijtë e Britanisë. Për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuar ka krijuar regjimin e parë në botë të sanksioneve kundër bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të parregullt, si dhe mundësuesve të tyre. Nga dita e nesërme, personat e përfshirë do të përballen me ngrirje të aseteve, përjashtim nga sistemi financiar britanik dhe ndalim udhëtimi drejt MB-së”.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024, numri i personave që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin e La Manshit me anije të vogla është 36 816 emigrantë. Kjo përfaqëson një rritje prej 25 % krahasuar me vitin 2023 (29 437) dhe është numri i dytë më i lartë që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 2018. Për gjysmën e parë të vitit 2025 (janar–qershor) Home Office i ka regjistruar 19 982 emigrantë që kaluan Kanalin me anije të vogla për periudhën janar–qershor 2025. Ky është niveli më i lartë për gjysmën e parë të një viti që nga viti 2018 dhe përfaqëson një rritje prej 48 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 (13 489). (A2 Televizion)