Tridhjetë e pesë palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza mëngjesin e së martës. Al-Jazeera raporton duke cituar burime mjekësore, se tetë nga viktimat po kërkonin ndihmë humanitare. Sipas Spitalit Al-Awda, një palestinez që po përpiqej të merrte ndihmë u vra nga sulmi i ushtrisë izraelite pranë korridorit Netzarim në qendër të Rripit të Gazës. Të paktën 16 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në kampin al-Shati, në qytetin perëndimor të Gazës, sipas Times of Israel, duke cituar burime palestineze.
Sakaq, raportohet se dy fëmijë të tjerë kanë vdekur nga kequshqyerja në Gaza, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa. Viktimat ishin Yousef Al Safadi, i cili jetonte në veri, dhe Abdul Hamid Al Ghalban nga Khan Younis, në jug. Sipas agjencisë, e cila citon Ministrinë e Shëndetësisë, të paktën 80 fëmijë kanë vdekur nga uria që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor 2023, shtatë vetëm që nga e premtja e kaluar. Një total prej 23 fëmijësh kanë vdekur nga uria në dy ditët e fundit. Autoritetet palestineze vlerësojnë se më shumë se 17,000 fëmijë në Rrip aktualisht vuajnë nga kequshqyerja akute për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit, veçanërisht në veri, ku edhe ajo pak e shpërndarë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili vepron vetëm në qendër dhe jug, mungon. Të tjerë shprehen për mungesë të ushqimeve bazike.
"Nuk kemi ngrënë për pesë ditë, po jetojmë nën një padrejtësi të madhe, po jetojmë në zi buke. Vëllai im është martir dhe la fëmijë pas dhe unë jam një burrë i plagosur, nuk mund të shkoj dhe të vij. Sot, ishte një luftë e madhe derisa njerëzit na mëshiruan dhe na dhanë një qese miell. Nuk kemi para për të përdorur transportin. Nuk kemi ushqim në dispozicion, nuk kemi asgjë për të pirë, nuk ka asgjë në dispozicion. Zia po vret njerëz. Distanca që ecim është shumë e gjatë. Jemi të lodhur, jashtëzakonisht të lodhur”, Mohammed Jundia, palestinez i zhvendosur.
Agjencia e Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë tha në orët e fundit se ka rreth 6,000 kamionë të parkuar në Jordani dhe Egjipt të ngarkuar me ushqim, ilaçe dhe furnizime mjekësore që presin që Izraeli t'u japë dritën jeshile për të hyrë në Rrip. (A2 Televizion)