42 goditje me bastun për një birrë

Nga A2 CNN
1 Korrik 2024, 13:02 | Bota

Katër burra janë dënuar me nga 42 goditje secili për arsye se kishin konsumuar pije alkoolike, duke shkelur kështu ligjin e Sheriatit në ishullin indonezian të Sumatrës.

Fotot tregojnë “algojo”-n duke ndëshkuar burrat në prani të publikut dhe përpara zyrtarëve të Gjykatës Islamike. I veshur me uniformë kafe, “algojo” godiste në kurrizin e të dënuarve me kallam druri në qendër të një dhome të bardhë me pllaka.

Dy prej të dënuarve u panë të veshur me tunika të bardha, ndërsa dy të tjerët mbanin bluza të kuqe të stampuara me emrin e prokurorisë së rrethit.

Ata u çuan në mes të dhomës për t'u ulur në një qilim blu, me kokat ulur, duke mbajtur radhë për të marrë dënimin.

Aceh është provinca e vetme në Indonezi që ka zbatuar ligjin e Sheriatit dhe i konsideron kumarin, alkoolin, marrëdhëniet lezbike, homoseksuale dhe biseksuale dhe seksin jashtë martesës si shkelje të ligjit. Dënimet për shkeljen e ligjeve përfshijnë goditje me bastunë, gjoba dhe burgim.

Para se të ekzekutohej dënimi, të gjithë burrat iu nënshtruan një kontrolli shëndetësor nga një ekip mjekësh. Të gjithë u vlerësuan të gatshëm për të vuajtur dënimin. Më pas prokurori përmbarues i thirri të dënuarit një nga një në mes të dhomës, ku u krye dënimi me goditje me shkop.

“Kompas” raportoi se dënimi u ndërpre për një nga burrat pasi ai nuk po e duronte dot dhimbjen pas 10 goditjeve të para. Atij iu dha diçka për të pirë nga mjekët, të cilët kontrolluan edhe gjendjen e tij, përpara se të vazhdonte dënimi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos