Para se të nisej për Uashington, ku do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shprehu besimin se bisedimet me të mund të ndihmojnë për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve në Gaza dhe armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.
Ndërkohë një delegacion izraelit mbërriti në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të zhvilluar bisedime për armëpushim me Hamasin. Bisedimet e ndërmjetësuaranga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja synojnë arritjen e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve që mban Hamasi.
Sipas mediave propozimi është për lirimin gradual të dhjetë pengjeve izraelite dhe dorëzimin e eshtrave të pengjeve të vrarë. Në këmbim nga burgjet izraelite do të lirohen një numër më i madh të burgosurish palestinezë. Gjatë armëpushimit palët pritet të negociojnë për një përfundim të përhershëm të luftës gati 21 muajore në Gazë.
Hamasika kërkuar disa ndryshime në projekt-marrëveshjen për armëpushim, por Netanjahu i hodhi poshtë ato: "Ndryshimet që po kërkon të bëjë Hamasi në propozimin e Katarit na u përcollën mbrëmë dhe janë të papranueshme për Izraelin", tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.
Udhëheqësi i Hezbollahut: Fillimisht duhet të ndalet agresioni i Izraelit
Për shkak të sulmeve dhe vazhdimit të kërcënimit nga Izraeli udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qasem, tha të dielën (06.07.) se milicët e tij nuk do t'i ulin armët. "Ky kërcënim (izraelit) do të na bëjë të mos e pranojmë dorëzimin", tha Qasemi në një fjalim televiziv para mijëra mbështetësve të tij që u mblodhën në periferitë jugore të Bejrutit për festën e Ashures që festojnë myslimanët shiitë.
Qasemi këmbënguli që fillimisht duhet të ndalet agresioni i Izraelit. "Si mund të prisni që ne të mos qëndrojmë të vendosur ndërsa armiku izraelit vazhdon agresionin e tij, vazhdon të pushtojë pesë pikat dhe vazhdon të hyjë në territoret tona dhe të vrasë?", tha ai.
Dhjetëra palestinezë të vrarë prej sulmeve izraelite
Prej sulmet ajrore izraelite të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes janë vranë përsëri dhjetëra palestinezë në Rripin e Gazës. Numri i saktë i viktimave është aktualisht i paqartë.
Agjencia e mbrojtjes civile të Gazës i tha agjencisë së lajmeve AFP se janë vrarë 14 vetë, 10 ndër prej të cilëve gjatë një sulmi në lagjen Sheikh Radavn të qytetit të Gazës.
Burime palestineze të cituara nga agjencia gjermane e lajmeve dpa njoftuan për 17 të vdekur, ndër ta katër fëmijë të moshës 6-12 vjeç nga e njëjta familje, të cilët u vranë nga një dron izraelit ndërsa po strehoheshin në një shatore pranë qytetit Khan Younis.
Agjencia Associated Press (AP) citoi burime nga spitalet në qytetin e Gazës dhe Khan Younis, të cilët thanë se ishin vrarë të paktën 38 persona.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se 24 orët e fundit kishin goditur në 130 objektiva, ndër to edhe një kamp me shatore dhe çadra për persona të zhvendosur në zonën bregdetare të Muvasit dhe dy shtëpi në qytetin e Gazës. Sipas burimeve prej këtyre sulmeve janë plagosur 25 vetë.
IDF nuk bëri asnjë koment për sulmet, por këmbëngul rregullisht se godet vetëm vende që kanë lidhje me grupin militant palestinez Hamas. DW (A2 Televizion)