
Edhe demokratët e Shkodrës dhe qytetarë janë nisur sot nga Shkodra në mbështetje të protestës së studentëve. Në një deklaratë për mediat deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun Shkodër, Kliti Hoti, u shpreh se mbështetja e qytetarëve për protestën e studentëve është e domosdoshme. Gjatë nisjes së protestuesve drejt Tiranës, ai tha se kërkesa për rotacion politik dhe ndryshim të qeverisë është një kërkesë e përbashkët e shqiptarëve.
“Suporti i gjithë shkodranëve dhe i gjithë Shqipërisë për studentet në këtë fazë është një domosdoshmëri. Sa më shumë të jemi ne në suport të studentëve, aq më shumë kanë me qenë të palëkundër studentët në kërkesat e tyre, që në fund të fundit janë kërkesat e tanë shqiptarëve. Është një kërkesë që është rotacioni politik, edhe ndryshimi i kësaj qeverie të inkriminume. Këtë e duan tanë shqiptarët, këtë e duan studentët, edhe ne duhet t'i mbështesim ata. Tanë shqiptarët duhet t'i mbështesin ata. Kështu që edhe Shkodra është gati për me i dhënë mesazhin e fundit kësaj qeverie të korruptuar”, u shpreh ai.
Hoti akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të frikësojë studentët dhe qytetarët, por sipas tij, po ndodh e kundërta, pasi mbështetja për protestën po rritet.
“Rama është në grahmat e fundit, edhe ai do të bëjë çfarë ka në dorë për me dhënë mesazhin, për me frikësu shqiptarët, me frikësu rininë, me frikësu studentët. Por po ndodh efekti i kundërt: numri i studentëve po rritet, numri i shqiptarëve në suport të studentëve po rritet dhe jemi në hapat e fundit të kësaj qeverie”.
(A2 Televizion)