
Policia ka zbardhur gjashtë raste vjedhjesh në biznese dhe automjete në Pogradec dhe Korçë.
Në operacionin e koduar “Qarku”,janë vënë në pranga dy 26-vjeçarë, Ronaldo Mehmeti dhe Romeo Memetali. Ndërkohë, është shpallur në kërkim një bashkëpunëtor i tyre nga Kamza.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi sende të dyshuara të vjedhura, një shumë parash dhe automjetin me të cilin lëviznin.
Nga hetimet dyshohet se tre personat janë autorë të vjedhjeve në pesë biznese dhe të sendeve nga një automjet në Pogradec dhe Korçë.
Pogradec/Finalizohet operacioni policor “Qarku”
Kryenin vjedhje në biznese të ndryshme në Pogradec dhe Korçë, si dhe në automjete, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori.
Sekuestrohen sendet e dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, organizuan punën, koordinuan veprimet dhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, bënë të mundur zbardhjen e 6 vjedhjeve.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Drenovë, dhe R. M., 26 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të banesave të këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sendet e vjedhura, së bashku me një shumë parash dhe një automjet me të cilin këta shtetas lëviznin.
Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë hetimeve rezultoi se këta shtetas dyshohet se janë autorë të vjedhjeve në 5 biznese dhe të disa sendeve në një automjet, vjedhje këto të ndodhura në Pogradec dhe Korçë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin ligjor edhe të disa vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. (A2 Televizion)