Administrata Trump tërheq 30 ambasadorë, mes tyre 2 nga Ballkani Perëndimor

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2025, 10:04 | Bota

Administrata Trump tërheq 30 ambasadorë, mes tyre 2 nga Ballkani

Administrata Trump ka tërhequr rreth 30 ambasadorë dhe diplomatë të lartë amerikanë në misionet jashtë vendit, sipas burimeve diplomatike të “The Guardian”. Ky veprim është pjesë e një procesi më të gjerë për të promovuar zyrtarë të administratës që janë besnikë ndaj politikave të reja të Shteteve të Bashkuara, përcjell A2 CNN.

Kjo tërheqje është e pazakontë, pasi diplomatët karrieristë zakonisht mbeten në pozicionet e tyre pas ndryshimeve të administratës, duke ruajtur neutralitetin politik. Megjithatë, administrata Trump kishte premtuar më parë se do të largonte atë që e quante “deep state” dhe kjo lëvizje është cilësuar nga kritikët si një pastrim i profesionistëve të shërbimit civil, përfshirë diplomatët e lartë jashtë vendit.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha për “The Guardian”: “Ambasadori është përfaqësues personal i Presidentit, dhe Presidenti ka të drejtë të ketë individë në këto vende që përkrahin agjendën ‘America First’.” Ai shtoi se diplomatët e tërhequr nuk do të pushohen nga detyra, por do të ri-caktohen në pozicione të tjera.

Sindikalistët e Shërbimit të Jashtëm Amerikan (AFSA) shprehën shqetësim të thellë për këtë proces, duke paralajmëruar se kriteret e reja të promovimeve duket se favorizojnë diplomatët që perceptohen si të lidhur me administratën aktuale. AFSA tha se ky proces mund të politizojë shërbimin diplomatik.

Rajoni më i prekur nga tërheqjet ishte Afrika, ku u tërhoqën ambasadorë nga Nigeri, Uganda, Senegali, Somalia, Bregu i Fildishtë, Mauritius, Nigeria, Gaboni, Kongo, Burundi, Kameruni dhe Ruanda. Në Lindjen e Mesme u tërhoqën drejtuesit e misioneve në Egjipt dhe Algjeri, ndërsa në Europë u tërhoqën ambasadorët në Sllovaki, Mal të Zi, Armeni dhe Maqedoni e Veriut.

Senatorja Jeanne Shaheen, e rangut më të lartë demokrat në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme, kritikoi procesin. “Duke larguar ambasadorë të kualifikuar, administrata po ia dorëzon Kinës dhe Rusisë rolin prej udhëheqësi botëror që ka SHBA, duke e bërë Amerikën më pak të sigurt dhe më pak të fortë”.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi gjithashtu se administrata ka përcaktuar lista të reja për promovime diplomatike, duke përfshirë ndryshime në kriteret dhe panelet e vlerësimit, si pjesë e përpjekjeve për të ndryshuar politikat e Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes brenda agjencive qeveritare.

Që prej qershorit të vitit 2023, pas largimit të Yuri Kim, SHBA nuk përfaqësohet me ambasador në Shqipëri, por funksionet publike i ka kryer e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos