
Ukraina është përballur me ndërprerje të gjera të energjisë elektrike pas një vale sulmesh të mësha me dronë dhe raketa të kryera nga Rusia gjatë natës. Operatori shtetëror i energjisë, Ukrenergo, njoftoi se janë vendosur ndërprerje emergjente të energjisë në disa rajone, ndërsa alarmet ajrore janë aktivizuar në të gjithë vendin, përcjell A2 CNN.
Autoritetet ukrainase publikuan pamje nga Odesa, ku u raportua se janë goditur anije, magazina dhe banesa. Sipas shërbimeve të emergjencës, çatitë e 122 shtëpive janë dëmtuar nga sulmet. Situata ka ngritur shqetësime të mëdha, veçanërisht për shkak të kushteve të motit, pasi temperaturat pritet të zbresin nën zero në ditët në vijim.
Ukrenergo bëri thirrje që qytetarët që kanë ende energji elektrike ta përdorin atë me kursim, duke theksuar se punimet për rikthimin e furnizimit do të nisin sapo situata e sigurisë ta lejojë. Edhe Ministria e Energjisë konfirmoi se ekipet e shpëtimit dhe punonjësit e sektorit energjetik janë në gatishmëri për të riparuar dëmet.
Ndërkohë, Polonia njoftoi se ka ngritur në ajër avionë luftarakë dhe ka vënë në gatishmëri sistemet e mbrojtjes ajrore, si masë parandaluese pas bombardimeve ruse.
Sulmet ndodhën pas përpjekjeve të fundit diplomatike të udhëhequra nga SHBA dhe mes paralajmërimeve të presidentit Volodymyr Zelensky për rrezik të shtuar sulmesh gjatë periudhës së Krishtlindjeve. (A2 Televizion)