
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur planet për krijimin e një flote të re luftarake të Marinës së SHBA, të quajtur “Golden Fleet” - “Flota e Artë”, ku pjesë qendrore do të jenë anije të reja luftarake që do të mbajnë emrin e tij, shkruan A2 CNN. Njoftimi u bë gjatë një eventi në resortin Mar-a-Lago në Florida, në praninë e zyrtarëve të lartë amerikanë të mbrojtjes dhe diplomacisë.
Sipas Trump, ndërtimi i anijes së parë të klasës “Trump”, e quajtur USS Defiant, pritet të nisë së shpejti, ndërsa anijet e para mund të jenë operacionale brenda dy vitesh e gjysmë. Presidenti deklaroi se fillimisht janë miratuar dy anije, por plani afatgjatë parashikon ndërtimin e deri në 25 të tilla. Ai i përshkroi anijet si “më të mëdhatë, më të shpejtat dhe më të fuqishmet që janë ndërtuar ndonjëherë”, të pajisura me armë hipersonike dhe sisteme tejet shkatërruese.

Projekti është pjesë e një zgjerimi më të gjerë të Marinës amerikane, që përfshin edhe anije të tjera të mëdha e të vogla, si dhe mjete pa ekuipazh. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se SHBA po mbetet pas Kinës në kapacitetet e ndërtimit detar, ndërsa Pekini zotëron tashmë marinën më të madhe në botë.
Trump tha se anijet do të ndërtohen në SHBA dhe do të krijojnë mijëra vende pune, duke e konsideruar këtë projekt si një hap kyç për ringjalljen e industrisë amerikane të ndërtimit të anijeve luftarake. (A2 Televizion)