
“Nëse përpjekjet e mia të sinqerta për krijimin e një qeverie të gjerë nuk do të kenë sukses, synoj të formoj një qeveri kombëtare emergjence, të cilën do të angazhohem ta zgjeroj përpara se të marrë detyrën ose edhe pas formimit të saj”. Kështu shkroi në rrjetin social X lideri i bllokut “Change”, i ngarkuar me formimin e qeverisë së re izraelite, Gadi Eisenkot.
Në një postim të gjatë, Eisenkot shprehet se ka “besim te aleatët e bllokut ‘Change’” dhe e konsideron shumë të rëndësishëm përfshirjen e tyre për të arritur një përparim në disa prej proceseve negociuese që janë në tryezë, me synimin për të formuar një koalicion sa më të gjerë të mundshëm.
Referenca është për negociatat me partitë ultraortodokse dhe me Likud-in. “Sa u përket negociatave me Likud-in, nga ana jonë po bëjmë përpjekje të sinqerta dhe konkrete... Synoj t’i jap edhe një mundësi këtij procesi. Duhet të përpiqemi t’i bindim që të tregohen në lartësinë e duhur përballë seriozitetit të momentit”, shkruan kreu i Yashar.
Ai e përfundon mesazhin e tij duke theksuar: “Megjithatë, të gjitha partitë duhet të kuptojnë se nuk kam ndërmend të humbas kohë. Ato duhet ta kenë të qartë se, në momentin e duhur, do t’i paraqes Knessetit një qeveri të re, të qëndrueshme dhe të drejtuar nga unë, për të marrë miratimin e saj. Kjo nuk është një kërcënim për qëllime negociatash, por një vendim që kam marrë duke kuptuar përgjegjësinë dhe rolin që më është besuar në këtë moment emergjence”.
Ndërkohë, kryeministri në largim, Benjamin Netanyahu, ka bërë një tjetër thirrje për unitet, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
“Ndodhemi në një udhëkryq historik. Nuk ka vend për manipulime apo ekzagjerime, ndaj ajo që nevojitet tani është përgjegjësia. Dhe përgjegjësia është uniteti. Fati i Izraelit është në udhëkryq”, deklaroi Netanyahu.
(A2 Televizion)