Afrimi Rusi-SHBA, Putin: FSB të jetë në gatishmëri për të papriturat

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2025, 17:10 | Bota

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi "elitat perëndimore" kundër përpjekjeve për të sabotuar një afrim të mundshëm midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Moska do të përdorë diplomatët dhe shërbimet e saj të inteligjencës për të penguar përpjekje të tilla.

Duke iu drejtuar shërbimit të sigurimit të Rusisë FSB, pasardhësi i KGB-së së epokës sovjetike dhe një agjencie që ai dikur drejtonte, Putin tha se ishte i kënaqur me mënyrën se si po përparonte një tentativë për rindërtimin e lidhjeve midis Moskës dhe Uashingtonit, edhe pse ishte ditët e para.

"Vërej se kontaktet e para me administratën e re amerikane frymëzojnë shpresa të caktuara. Ekziston një humor reciprok për të punuar për të rivendosur lidhjet ndërqeveritare dhe për të zgjidhur gradualisht numrin e madh të problemeve sistemike dhe strategjike që janë krijuar në arkitekturën e sigurisë botërore”, tha Vladimir Putin, President i Rusisë.

Putin përshëndeti faktin se "partnerët" aktualë të Rusisë po demonstronin atë që ai e quajti pragmatizëm dhe realizëm duke braktisur "klishetë ideologjike" të paraardhësve të tyre, të cilat ai tha se kishin shkaktuar një krizë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por Putin tha se ishte e qartë se jo të gjitha vendet ishin në favor të idesë së lidhjeve më të ngrohta midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

"Ne e kuptojmë se jo të gjithë janë të kënaqur me rifillimin e kontakteve ruso-amerikane. Disa elita perëndimore janë ende të vendosura për të ruajtur jostabilitetin në botë dhe këto forca do të përpiqen të prishin ose kompromentojnë dialogun që ka filluar. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të përdorim të gjitha mundësitë kur bëhet fjalë për diplomacinë dhe shërbimet tona të inteligjencës për të penguar përpjekje të tilla", shtoi Putin.

Komentet e Putin dukeshin si një referencë për Bashkimin Evropian dhe Britaninë, të cilat kanë ngritur shqetësime për perspektivën e ndonjë afrimi Rusi-SHBA për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos