
Një agjent i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE) në Minneapolis qëlloi dhe vrau një grua e cila dyshohet se u përpoq të shtypte agjentët federalë me automjetin e saj gjatë një operacioni të zbatimit të ligjit për imigracionin në lagjen Powerhorn të qytetit të Minesotës. A2 CNN shkruan se Departamenti i Sigurisë Kombëtare raportoi operacionin në një deklaratë për X.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se viktima ishte gruaja e një udhëheqësi të avokimit për migrantët.

Minneapolis është objektivi më i fundit i fushatës së administratës Trump kundër imigracionit të paligjshëm, me mbi dy mijë agjentë të ICE-së të dislokuar.
"Agjentët e ICE-së po shkaktojnë kaos", tha kryebashkiaku Jacob Frey, i cili, në profilet e tij në mediat sociale, u bëri thirrje forcave federale të largohen menjëherë nga qyteti, raporton A2 CNN.

Të shtënat shënojnë një përshkallëzim dramatik në një seri operacionesh të fundit të zbatimit të ligjit për imigracionin të kryera në qytete të mëdha amerikane.
Minneapolis dhe St. Paul, kanë qenë në gatishmëri të lartë që kur Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi dje nisjen e operacionit, i lidhur pjesërisht me akuzat për mashtrim që përfshijnë banorë me origjinë somaleze, gjë që bëri që Guvernatori Tim Walz (ish-kandidat për zëvendëspresident me Kamala Harris) të mos kandidonte për rizgjedhje. (A2 Televizion)