Prokurorët federalë në Kaliforninë Jugore kanë ngritur akuza ndaj 14 personave, të dyshuar për vjedhjen e mallrave me vlerë rreth 22,5 milionë dollarë nga më shumë se 36 trena mallrash. Sipas autoriteteve, pjesëtarët e grupit jo vetëm që kryenin grabitjet, por edhe filmonin veten gjatë hyrjes në vagonë dhe vjedhjes së produkteve.
Hetimet tregojnë se aktiviteti kriminal ka ndodhur nga shkurti i vitit 2024 deri në gusht të vitit 2026. Të dyshuarit dyshohet se përdornin mjete prerëse dhe sharra elektrike për të hapur vagonët, ndërsa në disa raste ndërhynin edhe në sistemin e frenimit me ajër të trenave në lëvizje, shkruan A2 CNN.
Mes mallrave të vjedhura përfshiheshin këpucë sportive të markave Nike, Hoka dhe Crocs, me vlerë mbi 22 milionë dollarë, si dhe pajisje elektronike e vegla pune. Në mesin e produkteve ishin edhe modele të papublikuara të atleteve Air Jordan “Space Jam”.
Operacioni, i koduar “CoolKicks” u zhvillua pas një hetimi 14-mujor të përbashkët mes disa agjencive ligjzbatuese. Sipas prokurorisë, grupi drejtohej nga një 21-vjeçar dhe mallrat e vjedhura magazinoheshin në disa ambiente në Kaliforninë Jugore, përpara se të shiteshin te rishitës të ndryshëm.
Një magazinë në Santa Monica dyshohet se kishte paguar më shumë se 1 milion dollarë për atlete Nike të vjedhura.
Të 14 të pandehurit përballen me 17 akuza për vepra penale të rënda dhe, në rast shpalljeje fajtorë, rrezikojnë dënime që mund të arrijnë në disa dekada burg.
Shefi i policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, e cilësoi operacionin si goditjen më të madhe ndaj krimit të pronës në historinë e policisë së Los Anxhelosit dhe të kompanive hekurudhore. (A2 Televizion)