Aktivistët e klimës vandalizojnë Italinë, hedhin bojë jeshile në kanalet e Venecias, lumin Po dhe Tiber

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2023, 08:32 | Bota

Një protestë e aktivistëve të klimës nga grupi Extinction Rebellion, e koordinuar në të gjithë Italinë ka bërë që ujërat e lumenjve më të njohur si Po në Torino dhe Tiberi në Romë, por edhe kanalet e famshme të Venecias të ngjyrosen me bojë jeshile.

Aktivistët e klimës e nisën aksionin në Venecia, ku substanca e padëmshme fluorescein u derdh në Kanalin e Madh, i cili u bë i gjelbër në pak minuta.

Disa aktivistë u varën po ashtu me litarë nga ura e Rialtos, duke shfaqur një pankartë kundër qeverisë italiane dhe marrëveshjeve të Cop28.

Ka pasur edhe momente tensioni gjatë përplasjes së ambientalistëve, ndërsa qindra turistë u grumbulluan në brigjet e Kanalit të Madh për të fotografuar ujin e gjelbër.

Aksioni në Venecia çoi në arrestimin e 28 aktivistëve dhe vjen dy ditë pasi anëtarët e një tjetër organizate, të njohur si Ultima Generazione hodhën baltë të lëngshme të përzier me çokollatë mbi muret e Bazilikës së San Markos.

Aktivistët ngjyrosën me bojë jeshile edhe Naviglio Grande, në Milano. Ata shpalosën një pankartë ku thuhej: "Qeveria flet, Toka fundoset". Po ashtu shpërndanë fletëpalosje duke kënduar "My Heart Will Go On" nga Ce'line Dion dhe kolonën zanore të famshme nga filmi "Titanic" si "referencë për ajsbergun para nesh që qeveritë vazhdojnë ta injorojnë”.

Sakaq në Romë ujërat e Tiberit morën ngjyrë të gjelbër. Pas drekës, një grup aktivistësh vendosën një pankartë të madhe në ishullin Tiber me fjalët: "Ndërsa qeveria flet, bota shembet! Vepro tani!".

Në Torino protesta nga aktivistët e klimës një "shtëpi e fundosur" u shfaq në mes të lumit Po ndërsa uji i lumit u gjelbërua. Po ashtu nga ura Vittorio Emanuele I në Piazza Vittorio u shpalos një pankartë 45 metra katrorë me parrullën: “Qeveria flet, Toka fundoset”.

Aksione u kryen gjithashtu në Bolonja në Kanalin e Renos, me pamje nga dritarja e vogël e famshme e njohur si "Venecia e vogël" dhe në Bari, ku një grup aktivistësh shpërndanë fletëpalosje mbi urgjencën klimatike. Të gjithë aktivistët u identifikuan nga policia.

I ashpër ishte reagimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit italian të Infrastrukturës pas këtij aksioni të koordinuar të aktivistëve të klimës. Matteo Salvini i cilësoi ata si budallenj dhe paralajmëroi arrestime.

"Nëse për të shpëtuar mjedisin këta budallenj shkojnë deri aty sa dëmtojnë monumentet, veprat e artit, kishat dhe madje edhe lumenjtë, vetëm pak nga neuronet e tyre kanë mbetur mbeten për t'u shpëtuar. Gjobë dhe burg për këta vandalë", shkroi ai në rrjetet sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos