Izraeli falënderon SHBA dhe godet Hezbollahun në Liban, mbi 17 mijë viktima në Gaza

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2023, 21:11 | Bota

Izraeli falënderon SHBA dhe godet Hezbollahun në Liban, mbi 17

Kryeministri izraelit Netanjahu e ka vlerësuar si korrekte veton e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rezolutës së OKB, e cila kërkonte vendosjen e menjëhershme të një armëpushimi në Gaza.

Lideri izraelit u shpreh se edhe vendet e tjera duhet ta kuptojnë se është e pamundur të kërkosh eliminimin e Hamasit dhe ndalimin e luftimeve në të njëjtën kohë. “Kjo gjë nuk mund të ndodhë”, tha Netanjahu.

Shtetet e Bashkuara ishin të vetmet që vunë veton rezolutës që kërkonte armëpushim në Gaza, teksa Britania e Madhe dha një votë abstenuese.

Ndërkohë, presidenti turk, Erdogan e dënoi këtë vendim, duke u shprehur se Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara është kthyer në një instrument që mbron Izraelin.

Në fushën e betejës, Izraeli vijoi bombardimet ndaj bazave të Hamasit, teksa luftime ka patur dhe në kufirin libanez, ku një qendër komande e grupimit Hezbollah u shkatërrua nga raketat e ushtrisë izraelite.

Situata paraqitet tepër kritike në Gaza, ku militantët raportojnë se numri i viktimave ka shkuar më shumë se 17 mijë e 700 që nga nisja e luftimeve në 7 tetor.

UNICEF e cilësoi Gazën si vendin më të rrezikshëm në botë për momentin dhe shtoi se më shumë se 1 milionë fëmijë janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe ndodhen në mëshirë të fatit me probleme për të siguruar ushqim, ujë, ilaçe e veshmbathje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos