Alarm në Nju Jork, policia gjen pajisje shpërthyese pranë rezidencës së kryebashkiakut

Nga A2 CNN
8 Mars 2026, 22:45 | Bota

Alarm në Nju Jork, policia gjen pajisje shpërthyese pranë

Policia e New York City ka konfirmuar praninë e një pajisjeje shpërthyese të improvizuar pranë rezidencës së kryebashkiakut Zoran Mamdani, gjatë një proteste të zhvilluar të shtunën në zonën e Manhattan.

Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi pranë Gracie Mansion, rezidencës zyrtare të kryebashkiakut të qytetit. Në atë moment, në zonë po zhvillohej një protestë anti-muslimane e organizuar nga një grup racist i bardhë, ndërsa një numër më i madh kundërprotestuesish ishte mbledhur gjithashtu në të njëjtën zonë.

Gjatë përplasjes mes grupeve, dy burra që dyshohet se ishin pjesë e kundërprotestuesve hodhën një pajisje zjarrvënëse pranë forcave të policisë dhe lanë një tjetër pajisje në afërsi të zonës.

Sipas hetimeve paraprake, pajisjet përbëheshin nga kavanoza me fitil të mbushura me copa druri dhe vida metalike. Fillimisht nuk ishte e qartë nëse ato përbënin rrezik real, por ekspertët e shpërthimeve ndërhynë për të analizuar situatën.

Zëdhënësja e policisë së Nju Jorkut, Jessica Tis, deklaroi se një nga pajisjet e gjetura rezultoi të ishte një pajisje shpërthyese e improvizuar.

“Ekipi i specialistëve të shpërthimeve konstatoi se një nga pajisjet nuk ishte një pajisje false apo bombë tymuese, por një pajisje shpërthyese e improvizuar që mund të kishte shkaktuar lëndime të rënda ose edhe viktima,” tha ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos