Emergjenca nga i nxehti rekord po shkakton pasoja dramatike në disa qytete italiane. Në Bagheria, pranë Palermos, një 53-vjeçare me probleme kardiake u rrëzua papritur në një trotuar dhe humbi jetën në vend.
Në Vicenza, dy punëtorë humbën ndjenjat teksa punonin brenda një cisterne alumini, e mbushur me avuj nga temperaturat ekstreme. Njëri prej tyre ndodhet në koma dhe është intubuar në spitalin e Bassano del Grappa. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30, ndërsa në vendngjarje ndërhynë karabinierët dhe shërbimi i urgjencës.
Ndërkohë, në Milano, një turiste 66-vjeçare nga Shanghai pësoi gjendje të fikëti për shkak të vapës dhe dehidratimit teksa ndodhej në Terrazën kryesore të Duomos, bashkë me të birin dhe nipin. Ajo u ndihmua nga zjarrfikësit dhe personeli i emergjencës.
Shërbimet e urgjencës kanë regjistruar një rritje deri në 20% të vizitave, kryesisht nga të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta, të freskohet ambienti dhe trupi, si dhe të kujdesemi për personat më të cenueshëm. (A2 Televizion)