
Alarmi për bombë në dy avionë të kompanisë "Ryanair", që mbërritën këtë mëngjes në aeroportin Fiumicino të Romës, rezultoi i rremë.
Bëhej fjalë për një fluturim nga Lisbona, i cili u ul rreth orës 09:40, dhe një tjetër nga Dublini, që mbërriti në orën 10:44.
Pas njoftimit për praninë e mjeteve shpërthyese në bord, avionët luftarakë të Forcave Ajrore Italiane u ngritën në fluturim për t’i shoqëruar deri në aeroport.
Sipas burimeve hetimore, alarmi u shkaktua nga një email anonim.
Në përputhje me procedurat, u kryen kontrollet e sigurisë në avionë, te pasagjerët dhe bagazhet, si dhe operacionet e kontrollit nga specialistët e çminimit. Për ngjarjen ka nisur një hetim nga autoritetet. (A2 Televizion)