Shtetet e Bashkuara janë në zi për humbjen e Jimmy Carter, ish-fermeri i kthyer në President, i cili luftoi me një krizë të rëndë ekonomike e atë të pengjeve me Iranin, e që ndërmjetësoi paqen mes Izraelit dhe Egjiptit.
Presidenti Joe Biden e shpalli 9 janarin ditë zie kombëtare, ndërsa i bëri homazh një prej paraardhësve të tij, i cili u nda nga jeta në moshën 100-vjeçare.
“Sot është një ditë e trishtë, por që sjell në mendje kujtime të mira. Sot amerikanët dhe bota humbën një lider të madh. Ai ishte burrë, shtetas dhe humanitar. Unë dhe Jill humbëm një mik të dashur”, tha Biden, shkruan A2.
Carter, një demokrat, u bë President në vitin 1977, pasi mundi republikanin Gerald Ford në zgjedhjet e vitit 1976. Presidenca e tij zgjati vetëm një mandat gjatë së cilit u angazhua për kauza të ndryshme nga shëndetësia tek demokracia globale dhe të tjera. Kur Jimmy Carter bëri betimin më 20 janar të vitit 1977, ai premtoi një “qeverisje të mirë, ashtu si populli amerikan”.
Një prej arritjeve më të mëdha të tij është ndërmjetësimi i paqes mes Izraelit dhe Egjiptit përmes marrëveshjeve të Camp Davis. Por, udhëheqja e tij u shënua gjithashtu nga recesioni ekonomik, mungesa e popullaritetit dhe kriza e pengjeve në Iran që konsumoi 444 ditët e fundit në detyrë.
Carter kandidoi për t’u rizgjedhur në 1980, por u mund bindshëm nga sfiduesi republikan Ronald Reagan. Carter jetoi më gjatë se çdo President tjetër dhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë fitoi reputacion si bamirës i përkushtuar. Në vitin 2002 u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen, për përpjekjet për të promovuar të drejtat e njeriut e për të zgjidhur konfliktet në botë, nga Etiopia dhe Eritrea, tek Bosnja dhe Haiti.
Qendra e tij Carter në Atlanta ka dërguar delegacione vëzhguesish ndërkombëtar për monitorimin e zgjedhjeve rreth botës. Liderët botërore dhe ish-presidentë amerikanë i bënë homazhe atij, duke e cilësuar si njeri të dhembshur, të përulur dhe të përkushtuar ndaj paqes në Lindjen e Mesme.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se Carter kishte bërë gjithçka kishte në dorë për të përmirësuar jetët e amerikanëve.
(A2 Televizion)