Irani ka marrë një paralajmërim të prerë, këtë herë nga Arabia Saudite. Ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite u dha një mesazh zyrtarëve iranianë në Teheran duke u thënë të: merrni seriozisht ofertën e Presidentit Donald Trump për të negociuar një marrëveshje bërthamore, sepse ajo paraqet një mënyrë për të shmangur rrezikun e luftës me Izraelin.
I alarmuar nga perspektiva e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në rajon, mbreti 89-vjeçar i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, dërgoi djalin e tij, Princin Khalid bin Salman, me paralajmërimin e destinuar për liderin suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei, sipas dy burimeve të zyrtarëve Iranian për Reuters.
Të pranishëm në takimin me dyer të mbyllura në Teheran, i cili u zhvillua më 17 prill në kompleksin presidencial, ishin presidenti iranian Masoud Pezeshkian, shefi i shtabit të forcave të armatosura Mohammad Bagheri dhe ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, thekson Reuters.
Ndërsa mediat mbuluan vizitën e princit 37-vjeçar, përmbajtja e mesazhit të fshehtë të mbretit Salman nuk është raportuar më parë.
Princi Khalid, i cili ishte ambasador i Arabisë Saudite në Uashington gjatë mandatit të parë të Trump, paralajmëroi zyrtarët iranianë se udhëheqësi amerikan ka pak durim për negociatat e zgjatura. Në Teheran, Princi Khalid i tha grupit të zyrtarëve të lartë iranianë se ekipi i Trump do të dëshironte të arrinte një marrëveshje të shpejt dhe dritarja për diplomacinë do të mbyllej shpejt, thekson Reuters.
Ministri saudit tha se do të ishte më mirë të arrihet një marrëveshje me SHBA-në sesa të përballet me mundësinë e një sulmi izraelit nëse bisedimet prishen, sipas dy burimeve të Gjirit.
Ai argumentoi se rajoni - tashmë i copëtuar nga konfliktet e fundit në Gaza dhe Liban - nuk mund të përballojë një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve, thanë burime diplomatike për Reuters.
Vizita e Princit Khalid - vëllai më i vogël i princit të kurorës Mohamed Bin Salman - ishte e para nga një anëtar i lartë i familjes mbretërore saudite në Iran në më shumë se dy dekada.
Riadi dhe Teherani kanë qenë prej kohësh rivalë të heshtur, shpesh duke mbështetur palët kundërshtare në luftërat me përfaqësues, derisa një afrim i ndërmjetësuar nga Kina në vitin 2023 ndihmoi në lehtësimin e tensioneve dhe rivendosi lidhjet diplomatike. (A2 Televizion)