Një raport i ri i publikuar nga Ekipi Shumëpalësh për Monitorimin e Sanksioneve (MSMT) ka zbuluar përmasat e jashtëzakonshme të ndihmës ushtarake që Koreja e Veriut i ka dhënë Rusisë gjatë vitit të fundit. Ky ekip ndërkombëtar, i përbërë nga 11 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, u krijua pasi Rusia pengoi vazhdimin e panelit të mëparshëm të OKB-së për monitorimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut.
Raporti vë në dukje se Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me miliona municione dhe mijëra ushtarë, si dhe me raketa balistike që janë përdorur për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qytetet ukrainase, shkruan A2 CNN. Ky bashkëpunim i paligjshëm ka kontribuar ndjeshëm në intensifikimin e sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës, përfshirë qytete të mëdha si Kievi dhe Zaporizhzhia.
Sipas raportit, vetëm gjatë vitit 2024, Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë rreth 9 milionë fishekë dhe municione të ndryshme. Në vitin 2023, më shumë se 11 000 ushtarë koreano-veriorë janë vendosur në territorin rus për të luftuar përkrah forcave ruse, ndërsa në muajt e parë të këtij viti janë dërguar edhe 3000 të tjerë. Furnizimet gjithashtu përfshijnë raketahedhës, artileri të rëndë, automjete ushtarake dhe të paktën 100 raketa balistike që më pas janë përdorur kundër Ukrainës.
Në këmbim të kësaj mbështetjeje, Moska ka furnizuar Korenë e Veriut me pajisje të sofistikuara ushtarake, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa kundërajrore, teknologji për luftën elektronike dhe derivate nafte të rafinuar. Një element i rëndësishëm është fakti që Rusia ka ndarë edhe të dhëna teknike që kanë ndihmuar në përmirësimin e saktësisë së raketave balistike të Koresë së Veriut, gjë që shënon një rritje të dukshme të kapaciteteve të saj ushtarake.
Kjo marrëveshje ndërshtetërore ka dy pasoja serioze: së pari, ajo i mundëson Penianit të financojë programet e tij të ndaluara ushtarake dhe të avancojë në zhvillimin e raketave balistike, të ndaluara me rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; së dyti, Koreja e Veriut po përfiton përvojë të drejtpërdrejtë në luftën moderne, duke rritur potencialin për destabilizim rajonal dhe global.
Raporti bazohet në prova të mbledhura nga shtetet pjesëmarrëse në MSMT dhe është mbështetur edhe nga Qendra për Burime të Hapura (OSC) dhe Conflict Armament Research (CAR), organizata britanike që merren me studimin e transferimeve të armëve. Të dyja këto burime vërtetojnë se të dy vendet – Rusia dhe Koreja e Veriut – po shkelin embargon e armëve të OKB-së duke përdorur rrjete që shmangin sanksionet ndërkombëtare.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet pjesëmarrëse në MSMT – Australia, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Holanda, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – i bënë thirrje Koresë së Veriut të angazhohet në diplomaci domethënëse, duke shprehur shqetësim për thellimin e këtij partneriteti ushtarak.
Frika më e madhe e Perëndimit është se Rusia mund t’i transferojë Koresë së Veriut teknologji të avancuar hapësinore dhe satelitore në këmbim të mbështetjes së vazhdueshme në luftën në Ukrainë, shkruan A2 CNN. Këto frika janë forcuar edhe më shumë pasi në prill, presidenti rus Vladimir Putin pranoi për herë të parë publikisht praninë e ushtarëve koreano-veriorë në betejën për rikthimin e territoreve ruse pas një sulmi ukrainas në rajonin e Kurskut.
Për më tepër, sipas autoriteteve ukrainase, trupat koreano-veriore kanë qenë të vendosura në atë rajon që nga nëntori, por janë tërhequr nga vijat e para të frontit në janar, pas humbjeve të mëdha.
Ndërkohë që të dy vendet vazhdojnë të mohojnë furnizimin e armëve, raporti dhe provat e shumta tregojnë të kundërtën. Marrëveshja e mbrojtjes reciproke mes tyre, e nënshkruar vitin e kaluar, i detyron të përdorin të gjitha mjetet për të ndihmuar njëra-tjetrën në rast sulmi. Putin madje ka kërcënuar se do të furnizojë Penianin me armë nëse Perëndimi vazhdon të armatosë Ukrainën. (A2 Televizion)