Armëpushim me luftë për Pashkë, Zelenski akuzon Rusinë: 387 sulme që nga njoftimi i Putin për paqe

Nga Xhevahir Qardaku
20 Prill 2025, 09:06 | Bota

Armëpushimi për Pashkë mbetet vetëm në fjalë. Rusia ka zhvilluar një sërë sulmesh kundër Ukrainës, pavarësisht fjalës së dhënë nga presidenti Vladimir Putin për një ulje armësh përgjatë festës së rëndësishme katolike.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka krijuar një “përshtypje” të një armëpushimi, ndërkohë që vazhdon të ndërmarrë veprime ushtarake në disa zona.

Në gjashtë orët e para të “armëpushimit të Pashkëve”, siç urdhëroi presidenti rus Vladimir Putin, Zelensky tha se kishte 387 bombardime dhe 19 sulme tokësore nga ushtria ruse. Sipas tij dronët janë përdorur 290 herë.

Putin të shtunën urdhëroi forcat e tij të “ndalojnë të gjithë aktivitetin ushtarak” në Ukrainë për armëpushimin e përkohshëm, të cilit Kievi tha se do t'i përmbahet gjithashtu.

Paqja e pashkëve do të duhej që të zgjaste deri në orët e para të së hënës. Ukraina ka propozuar zgjatjen e armëpushimit edhe për 30 ditë të tjera.

Duke akuzuar Rusinë për veprime specifike ushtarake, Zelensky shtoi se “ushtarët e Kievit po përgjigjen kudo siç e meriton armiku në rrethana specifike luftarake”.

“Veprimet tona janë dhe do të jenë simetrike”, thekson lideri i Kievit. Nuk është hera e parë që shpallet papritmas një pauzë në luftime.

Një përpjekje e mëparshme për një armëpushim gjatë Krishtlindjeve Ortodokse në janar 2023 u shkatërrua pasi të dyja palët nuk arritën të bien dakord për një propozim.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos