“Armëpushimi të finalizohet sa më shpejt!” SHBA: Po bëjmë çdo gjë për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme

Nga Rosalba Bejdo
14 Gusht 2024, 16:29 | Bota

Shtetet e Bashkuara synojnë të ulin temperaturat në Lindjen e Mesme, mes frikës së një sulmi hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit.

Kështu tha ambasadorja amerikane në OKB , Linda Thomas-Greenfield gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork. Sipas saj, Uashingtoni po përpiqet të parandalojë dhe të mbrohet kundër ndonjë sulmi të ardhshëm dhe të shmangë zgjerim të konfliktit. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka sugjeruar se arritja enjë marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza mund të parandalojë sulmin Iranian kundër Izraelit.

“Kjo nis me finalizimin e një ujdie për armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve në Gaza. Sërish u bëjmë thirrje çdo anëtari të këtij këshilli të thotë qartë dhe fort se është kohë të finalizojmë dhe implementojmë këtë marrëveshje”, tha Linda Thomas-Greenfield.

Por ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, akuzoi Këshillin e Sigurimit se nuk po bën mjaftueshëm për të ndalur operacionin ushtarak të Izraelit në Gaza. Një raund i ri bisedimesh është parashikuar të zhvillohet të enjten, në Doha ose në Kairo. Por një zyrtar i Hamasit në Liban, Ahmad Abdul Hadi, deklaroi se grupi që drejton Gazën nuk do të marrë pjesë në bisedime.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken shtyu planet për të udhëtuar në lindjen e mesme të martën, për të marrë pjesë në bisedimet e së enjtes. Negociatorët ndërkombëtar nga SHBA, Egjipti dhe Katari po këmbëngulin për një marrëveshje që do të përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Uashingtoni, ndërkohë, ka aprovuar shitje të reja armësh për Izraelin, me vlerë 20 miliardë dollarësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos