Përshkallëzohen protestat në Gjermani, plaçkiten dyqane dhe përleshje me policinë

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2026, 17:17 | Bota

Përshkallëzohen protestat në Gjermani, plaçkiten dyqane

Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shkurtimeve në shërbimet publike kanë degjeneruar në akte dhune në disa qytete të Gjermanisë.

Në Frankfurt, protestuesit plaçkitën dyqane dhe thyen vitrinat e bizneseve, ndërsa në Berlin, Këln dhe Hamburg pati përplasje të dhunshme me forcat e policisë.

Mijëra qytetarë dolën në rrugë të shtunën, në përgjigje të thirrjes së lëvizjes rinore “Gen Z regelt” (Gjenerata Z merr kontrollin).

Protestuesit kërkuan më shumë financim për arsimin dhe shëndetësinë, uljen e kostos së jetesës, ndalimin e shkurtimeve në shpenzimet publike dhe kundërshtuan shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Megjithëse demonstratat nisën kryesisht në mënyrë paqësore, situata u përshkallëzua gjatë mbrëmjes. Në Frankfurt, policia raportoi për thyerje të vitrinave, plaçkitje të dyqaneve dhe hedhje të koktejve molotov drejt shërbimeve të emergjencës.

Mes bizneseve të sulmuara ishte edhe një dyqan armësh, nga ku autoritetet sekuestruan dy armë pas arrestimit të një të dyshuari.

Policia përdori edhe topa uji për të shpërndarë turmat, ndërsa në qytet u angazhuan njësi speciale. Sipas autoriteteve, u kryen një numër i konsiderueshëm arrestimesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos