
Aksionet e kompanivë amerikane të energjisë janë rritur, ndërsa investitorët vënë bast se kapja e Presidentit Venezuelan Nicolás Maduro nga SHBA-të do të hapë mundësi për të shfrytëzuar rezervat e naftës së vendit.
Aksionet në Chevron u hapën me më shumë se 4% më lart, ndërsa firma të tjera, përfshirë ConocoPhillips dhe Exxon, gjithashtu fituan.
Çmimet e metaleve të çmuara gjithashtu u rritën, ndërsa ndërhyrja në Venezuelë rriti shqetësimet e investitorëve në lidhje me rreziqet gjeopolitike, shkruan A2. Çmimet e metaleve të çmuara si ari dhe argjendi shpesh rriten në kohë pasigurie, pasi ato shihen si asete më të sigurta për t'u mbajtur.
Çmimet e naftës u luhatën të hënën. Nafta e papërpunuar Brent u rrit me më shumë se 1% në gati 61.50 dollarë për fuçi, ende nën nivelet më të larta të viteve të fundit, pasi analistët thanë se furnizimet globale do të kompensonin çdo ndërprerje.
Aksionet e Chevron, e vetmja kompani amerikane që operon aktualisht në Venezuelë, u rritën me 4%, ndërsa firma spanjolle e energjisë Repsol, ndër të paktat firma të tjera perëndimore të energjisë me prani në vend, fitoi 2%.
Kompanitë e shërbimeve të naftës gjithashtu u rritën, me Haliburton që u rrit me më shumë se 7%.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës në Venezuelë pas kapjes së Maduros dhe tha se SHBA-të do të "drejtojnë vendin deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur".
Por, analistët e industrisë kanë thënë se ky veprim nuk ka gjasa të ketë një ndikim të menjëhershëm në atë se sa paguajnë njerëzit dhe bizneset për energjinë. Ekspertët kanë thënë gjithashtu se do të kushtojë miliarda dollarë për të rregulluar infrastrukturën e naftës së Venezuelës, e cila ka qenë në rënie të ndjeshme që nga fillimi i viteve 2000.
Prodhimi i naftës bruto të Venezuelës ka qenë "i zbehtë" për vite me radhë dhe tani përbën vetëm rreth 1% të prodhimit global të naftës, tha strategu i investimeve Vasu Menon, nga banka OCBC.
Ish-drejtori ekzekutiv i BP, Lord Browne, i tha programit Today të BBC-së se që Venezuela të ringjallë prodhimin e saj të naftës do të kërkonte "një sasi të jashtëzakonshme investimesh në aftësi dhe kohë".
Ndërsa mund të ketë një "rritje të shpejtë" të një pjese të prodhimit, shtoi ai, prodhimi mund të bjerë ndërsa industria po riorganizohet.
(A2 Televizion)