Rama mbledh drejtuesit politikë në kryeministri, nesër mbahet Asambleja e Partisë Socialiste, Tiranë

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2026, 11:15 | Politikë

Kryeministri Edi Rama mblodhi drejtuesit politikë të partisë dhe ministrat në Kryeministri që prej orës 8 të mëngjesit. Ky takim pason Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, që u mblodh gati një javë më parë, dhe i paraprin Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, e cila do të mbahet nesër.

Tirana ka dy bashkëkryetarë, Ervin Demon dhe Albana Koçiun, dhe jo më Erion Veliajn si drejtues politik. Veliaj nuk u përjashtua nga Asambleja Kombëtare si Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca. Sipas vetë socialistëve, ai është ende faktor për Tiranën, ndërsa mes tyre kanë nisur për herë të parë dyshimet se edhe mund ta humbasin bashkinë e kryeqytetit.

Nuk dihet nëse bashkëdrejtimi Demo-Koçiu do të jetë edhe një garë e tillë në sondazhe për kandidatin socialist. Kjo në një kohë kur nga opozita artikulohen disa emra, por qëllimi kryesor i demokratëve është bashkimi i gjithë faktorëve anti-Ramë rreth një emri që do ta fitonte bashkinë më të madhe në vend.

Mbetet për t'u parë nëse nesër do të ketë zhvillime vendimtare nga Asambleja e Tiranës apo mesazhet e kryeministrit do të përqendrohen te nevoja e shuarjes së konflikteve publike në parti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos