
Paketimet e ngrënshme mund të jenë një alternativë në luftën kundër ndotjes globale nga plastika. Ekspertët po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë përdorimin e algave të detit për prodhimin e ambalazheve që mund të konsumohen ose të shpërbëhen natyrshëm në mjedis.
Një eksperiment i zhvilluar muajin e kaluar në fshatin Nobottle, në Northamptonshire të Britanisë së Madhe, tregoi se si mund të funksionojë kjo ide në praktikë. Banorëve iu shpërndanë pije me xhenxhefil të kompanisë Innocent, të cilat në vend të shisheve tradicionale plastike ishin vendosur në kapsula të ngrënshme, të prodhuara nga kompania Notpla.

Rreth gjysma e 30 banorëve që morën pjesë në testim e provuan produktin. Reagimet ishin përgjithësisht pozitive, ndërsa disa prej tyre e konsideruan shijen e fortë të xhenxhefilit si të vetmin problem.
Nisma vjen në një kohë kur mbetjet nga paketimet po rriten në nivel global. Sipas të dhënave të kompanisë kërkimore Smithers, sasia e tyre parashikohet të arrijë në 434,5 milionë tonë në vitin 2025 dhe në 525 milionë tonë deri në vitin 2030.

Plastika përbën një pjesë të konsiderueshme të këtij problemi. Midis viteve 2000 dhe 2019, sasia e mbetjeve plastike në botë u dyfishua, ndërsa paketimet përbëjnë rreth 40% të tyre. Pavarësisht përpjekjeve për riciklim, në vitin 2024 norma globale e riciklimit të plastikës ishte vetëm 27.9%.
Kompania Notpla është ndër bizneset që po eksperimentojnë me këtë teknologji. Në laboratorët e saj në Londër, algat e detit përdoren për të krijuar kapsula që mbajnë vaj ulliri, ambalazhe për sanduiçë dhe materiale që zëvendësojnë edhe fijet plastike në paketimet prej kartoni.
Kompania ka prodhuar gjithashtu lugë nga algat e detit, të cilat përdoren në disa pika të shitjes së akulloreve në Londër. Produkte të ngjashme janë përdorur edhe gjatë Maratonës së Londrës.

Bashkëthemeluesi i Notpla, Rodrigo García González, argumenton se algat janë një material veçanërisht premtues për shkak të rritjes së shpejtë dhe ndikimit më të ulët në mjedis.
Sipas tij, disa lloje algash mund të rriten deri në 60 centimetra në ditë, ndërsa kultivimi i tyre nuk konkurron me tokën bujqësore për prodhimin e ushqimit.
Edhe kompani të tjera po zhvillojnë alternativa të ngjashme. Xampla ka krijuar një kub koncentrati për supë të mbështjellë me një film të ngrënshëm, ndërsa kompania bullgare Cupffee ka prodhuar miliona gota të ngrënshme, duke synuar të zëvendësojë gotat njëpërdorimshme.

Megjithatë, prodhimi i këtyre materialeve nuk është pa vështirësi. Kompania Cupffee ka pranuar se procesi kërkon investime të konsiderueshme dhe është teknikisht i ndërlikuar.
Kostoja dhe prodhimi në shkallë të gjerë, sfidat kryesore
Pavarësisht potencialit, ekspertët paralajmërojnë se paketimet e ngrënshme përballen me disa pengesa përpara se të përdoren gjerësisht në treg.
Profesori James Elliott, nga Universiteti i Kembrixhit, i cili po studion alternativa ndaj paketimit plastik, thotë se prodhuesit janë të orientuar kryesisht drejt kostos dhe nuk janë të gatshëm të paguajnë më shumë për materiale të biodegradueshme.
Një tjetër problem lidhet me ruajtjen dhe transportin. Disa prej këtyre produkteve janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe kushteve mjedisore, duke kërkuar trajtim të veçantë. Për shembull, kapsulat me pije me xhenxhefil të prodhuara nga Notpla kanë një jetëgjatësi prej vetëm tri ditësh, ndërsa një produkt i ngjashëm në shishe mund të ruhet për disa javë.
Sipas Elliott, sfida më e madhe mbetet prodhimi në sasi të mjaftueshme për të zëvendësuar plastikën. Rreth 30-40% e plastikës së përdorur në botë shkon për paketim. Nga ana tjetër, González thekson se kultivimi i algave është tashmë një industri e zhvilluar. Sipas tij, çdo vit korren rreth 40 milionë tonë alga, pjesa dërrmuese e të cilave kultivohet në ferma detare.

A mjaftojnë paketimet e reja për të zgjidhur problemin?
Përtej inovacionit teknologjik, mbetet edhe një debat më i gjerë mbi mënyrën se si konsumohet dhe hidhet poshtë plastika.
Organizatat mjedisore argumentojnë se zgjidhja afatgjatë nuk qëndron vetëm te zëvendësimi i ambalazheve plastike me materiale të tjera, por edhe te reduktimi i kulturës së produkteve njëpërdorimshme.
Ndërkohë, studiuesit po eksplorojnë edhe alternativa të tjera. Elliott po punon për prodhimin e ambalazheve nga celuloza, një material i pranishëm në të gjitha bimët, duke përdorur mbetje bimore për krijimin e paketimeve që mund të kompostohen.
Një tjetër mundësi është proteina e bizeles, të cilën kompania Xampla e përdor për prodhimin e qeseve alternative ndaj plastikës.
Paketimet e ngrënshme dhe materialet e biodegradueshme mund të ndihmojnë në uljen e ndotjes, por kalimi nga eksperimentet laboratorike në prodhimin masiv do të kërkojë investime, teknologji dhe ndryshime në mënyrën e konsumit. (A2 Televizion)