U plagos rëndë në protestë, Erjon Vishkulli thirret në Prokurori

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2026, 11:42 | Kronikë

U plagos rëndë në protestë, Erjon Vishkulli thirret në

Prokuroria e Tiranës do të marrë deklarimet e Erion Vishkullit, protestuesit të plagosur rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së studentëve mbrëmjen e 24 tetorit. Gazetari i A2 CNN Armand Bajrami raporton se Vishkulli do të paraqitet në Prokurorinë e kryeqytetit më 25 nëntor.

Sipas fletëthirrjes së firmosur nga prokurori i çështjes, Ndini Tavani, Vishkulli duhet të paraqitet më 25 nëntor, në orën 11:00. Ai do të pyetet për rrethanat e dëmtimit pranë sheshit Skënderbej, afër godinës së Bankës së Shqipërisë, si dhe për ngjarjet pas plagosjes, përfshirë trajtimin në Spitalin e Traumës dhe dërgimin e tij në Itali.

Pas dëmtimit të rëndë në sy Vishkulli u zhvendos në Itali, ku ju nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai është kthyer në Shqipëri, por pritet të rikthehet sërish në Itali për të vijuar trajtimin mjekësor dhe për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve të tjera.

Prokuroria e Tiranës po heton jo vetëm rrethanat e plagosjes së Vishkullit, por edhe kallëzimet e tjera të depozituara nga protestuesit, të cilët pretendojnë se janë dëmtuar nga përdorimi i forcës dhe i armëve me plumba gome nga ana e policisë.

Në kuadër të hetimeve janë administruar pamje filmike nga kamerat e sigurisë në kryeqytet. Për rastin e Vishkullit janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të Bankës së Shqipërisë, ndërsa është administruar kartela e tij mjekësore në Spitalin e Traumës.

Gjithashtu, Prokuroria u ka dërguar një letërporosi autoriteteve italiane të drejtësisë, duke kërkuar dokumentacionin mjekësor të spitalit ku Vishkulli mori trajtim. Hetuesit kanë kërkuar edhe listën e efektivëve të policisë të planizuar në sheshin Skënderbej mbrëmjen e protestës, si dhe identifikimin e atyre që kanë përdorur armët me plumba gome.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos