Autoritetet izraelite kanë arrestuar rreth 30 shtetas, kryesisht hebrenj, të dyshuar për spiunazh në favor të Iranit, raporton Agjencia e Lajmeve Reuters. Kjo është një nga përpjekjet më të mëdha të Teheranit për të infiltruar në Izrael në dekadat e fundit. Sipas Shërbimit të Sigurisë, Shin Bet, disa nga synimet e këtyre celulave përfshinin eliminimin e një shkencëtari bërthamor izraelit dhe ish-zyrtarëve ushtarakë, si dhe mbledhjen e informacioneve mbi bazat ushtarake dhe mbrojtjen ajrore.
Ndër të arrestuarit janë individë nga periferia e shoqërisë izraelite, përfshirë emigrantë të rinj, një dezertor i ushtrisë dhe një person i dënuar më parë për abuzim seksual. Dy të dyshuar janë raportuar si anëtarë të komunitetit ultra-ortodoks.
Shin Bet ka deklaruar se aktivitetet e dyshuara të këtyre celulave përfshinin edhe veprime simbolike si grafiti kundër kryeministrit Netanyahu dhe djegien e makinave. Një nga të arrestuarit, Vladislav Victorsson, 30 vjeç, ka pranuar të kryente një vrasje dhe të organizonte sulme të tjera, përfshirë blerjen e armëve.
Sipas hetimeve, agjencitë iraniane rekrutonin individë përmes platformave të mediave sociale dhe i detyronin të kryenin detyra gjithnjë e më delikate, shpesh nën kërcënimin e shantazhit. Rekrutët fillimisht ngarkoheshin me detyra të thjeshta, përpara se t’iu kërkohej mbledhja e inteligjencës mbi infrastrukturën ushtarake.
Këto arrestime vijnë në një periudhë tensioni të lartë në rajon, ku Izraeli përballet me Hamasin dhe kërcënimet nga Hezbollahu. Izraeli dhe Irani kanë sulmuar njëri-tjetrin me raketa gjatë vitit të fundit. (A2 Televizion)