CIA Amerikane zbarkon në Venezuelë kundër karteleve të drogës. Presidenti Donald Trump konfirmon se ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës të kryente operacione të fshehta, duke shkaktuar zemërim nga udhëheqësi i kombit të Amerikës së Jugut. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tregon arsyet e këtij vendimi.
“Së pari, ata i kanë zbrazur burgjet e tyre dhe kriminelët i kanë dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne po i kthejmë pas ata. Dhe gjëja tjetër janë drogat. Ne kemi shumë drogë që vjen nga Venezuela dhe shumë nga drogat e Venezuelës vijnë përmes detit. Pra, mund ta shihni këtë. Por ne do t'i ndalojmë ata edhe nga toka”, tha Trump.
Trump kur u pyet nëse synon rrëzimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, u përgjigj kështu: “Mendoj se Venezuela po ndjen tension. Por mendoj se edhe shumë vende të tjera po e ndjejnë tensionin.”
Presidenti Maduro, i bëri thirrje homologut të tij amerikan, Donald Trump, të përmbahet nga kryerja e atyre që i quajti “grushte të shtetit të CIA-s”, ndërsa tensioni ushtarak midis dy vendeve është thuajse në fazë përplasjeje.
“Jo ndryshimit të regjimit, i cili na kujton kaq shumë luftërat e pafundme dhe të dështuara në Afganistan, Irak, Libi e kështu me radhë. Jo grushteve të shtetit të orkestruara nga CIA, të cilat kujtojnë 30 mijë të zhdukurit në grushtet e shtetit të mbështetura nga CIA kundër Argjentinës. Grushtin e shtetit të Pinochetit dhe 5 mijë të rinjtë që u vranë ose u zhdukën. Më dëgjoni o popull i Shteteve të Bashkuara, duam paqe, jo luftë”, u shpreh Maduro.
Por, presidenti amerikan lëshoi dhe një paralajmërim të fortë. “Sa për Venezuelën, kishim shumë drogë që vinte nga deti dhe kjo u ndal. Askush nuk do më të shkojë të peshkojë, askush nuk do të shkojë afër detit amerikan”, tha Trump.
Forcat amerikane kanë kryer të paktën pesë sulme ndaj anijeve të dyshuara për transport droge në Karaibe në javët e fundit, duke vrarë 27 persona. Ekspertët e të drejtave të njeriut të emëruar nga OKB-ja i kanë përshkruar operacionet si “ekzekutime jashtëgjyqësore”. (A2 Televizion)