Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen këtë të premte në Gjenevë me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi, në përpjekje për të ulur tensionet e shtuara në krizën midis Iranit dhe Izraelit.
Nëse takimet zhvillohen sipas planit, ato do të jenë bisedimet e para ballë për ballë midis Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit një javë më parë, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Këto takime do të përfaqësonin gjithashtu përfshirjen më të rëndësishme të Evropës në krizën në rritje. Vonesa e papritur prej dy javësh nga presidenti amerikan, Donald Trump në marrjen e një vendimi për një ndërhyrje ushtarake u jep diskutimeve në Gjenevë më shumë peshë.
Trump ka deklaruar se ende dëshiron t’u japë një shans negociatave.
Përpara shpërthimit të konfliktit, Shtetet e Bashkuara po zhvillonin bisedime dypalëshe me Iranin për një marrëveshje të re bërthamore, duke lënë mënjanë Evropën, e cila kishte luajtur një rol kyç në marrëveshjen e vitit 2015, nga e cila Donald Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
Ministrat evropianë pritet t’i bëjnë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave, ndërsa Irani thotë se e dëshiron këtë, por jo ndërsa është nën sulm.
Ndërkohë, as Izraeli dhe as Irani nuk po tregojnë gatishmëri për të bërë hapa pas.
Të dyja vendet, Irani dhe Izraeli janë armiq rajonalë për dekada me radhë.
Në qendër të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit qëndron programi bërthamor i diskutueshëm i Teheranit.
Irani gjithmonë ka pohuar se programi i tij bërthamor është paqësor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me të tjerë kanë vlerësuar se ai nuk ka synuar zhvillimin e armës që nga viti 2003. Megjithatë, Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele afër atyre për armë dhe besohet se mund të zhvillojë disa armë brenda muajsh nëse dëshiron ta bëjë.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së e dënoi Iranin javën e kaluar për mospërmbushjen e detyrimeve të tij./Kosovapress
(A2 Televizion)