Bëri një donacion prej 47 eurosh, Rusia e dënon me 12 vite burg

Nga A2 CNN
18 Gusht 2024, 21:37 | Bota

Bëri një donacion prej 47 eurosh, Rusia e dënon me 12 vite burg

Ksenia Khavana, e lindur në Rusi me emrin Karelina, mori nënshtetësinë amerikane pasi u martua me një shtetas të atij vendi, një burrë të quajtur Chris van Heerden. Ksenia donte të bënte një udhëtim në Rusi për të vizituar familjen e saj dhe megjithëse bashkëshorti u përpoq t’ia hiqte nga mendja këtë udhëtim, ai nuk mundi ta ndalonte gruan e tij.

Me të mbërritur në Rusi, ajo u arrestua shkurtin e kaluar pasi dyshohet se kishte mbledhur fonde për ushtrinë ukrainase.

Siç është raportuar nga grupi i të drejtave të njeriut First Department, këto “fonde” i referohen një donacioni prej 51,80 dollarësh (rreth 47 euro) që Ksenia i bëri një OJQ-je amerikane që mbështet Ukrainën.

Rusia nuk e sheh në këtë mënyrë çështjen, pasi shërbimi federal rus i sigurisë ka deklaruar se Ksenia “mblodhi para në mënyrë proaktive në interes të një prej organizatave ukrainase, të cilat më pas u përdorën për të blerë pajisje taktike mjekësore, armë dhe municione për forcat ukrainase”.

Pasi u ndalua në Ekaterinburg gjashtë muaj më parë, vetëm këtë të enjte, më 15 gusht, një gjykatë ruse e dënoi me 12 vjet burg për tradhti gruan.

Avokati i saj u shpreh: “Ajo u deklarua pjesërisht fajtore për transferimin e fondeve, por nuk e pranoi qëllimin e saj për t'i transferuar fondet tek organizatat ku ato ishin marrë”.

Ai gjithashtu deklaroi se Ksenia “nuk mendonte se fondet që ajo transferoi do të përdoreshin për veprime anti-ruse”.

Partneri i Ksenia-s, Chris van Heerden, foli me rrjetin amerikan CBS dhe bëri publike gjëra interesante. Ai fillimisht shprehu zemërimin për vendimin. Sipas Van Heerden, padia është krejtësisht e rreme dhe pretendon se Khavana, një shtetase amerikane, ka bërë vetëm një donacion prej 51,80 dollarë për të ndihmuar Ukrainën, të cilën ajo e konsideron një ushtrim të së drejtës së saj.

Van Heerden shpjegoi se dhurimi u bë në një ngjarje humanitare në 2022 në Los Angeles, por se Khavana u akuzua sipas një ligji rus të miratuar vitin pasardhës.

Që nga dërgimi i trupave në Ukrainë në shkurt 2022, Rusia ka zbatuar ligje që ndëshkojnë kritikat e luftës dhe diskreditojnë ushtrinë ruse. Kjo qasje e ashpër e Rusisë ka ngritur shqetësime për ndalimin e mundshëm të qytetarëve amerikanë. Kohët e fundit, Rusia kreu shkëmbimin më të madh të të burgosurve me Perëndimin që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke liruar të burgosur si Evan Gershkovich dhe Paul Whelan, të akuzuar për spiunazh dhe Alsou Kurmasheva, të dënuar për përhapjen e informacionit të rremë.

Ndërkohë, Chris van Heerden ka lobuar në Departamentin e Shtetit për të deklaruar të paligjshëm ndalimin e gruas së tij Ksenia, me shpresën se ajo do të përfshihet në shkëmbimet e ardhshme të të burgosurve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos