Qasja e Uashingtonit ndaj Europës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar. Këtë kujdeset të theksojë zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare, John Kirby, pasi Washington Post deklaroi se Presidenti Biden ndoqi politikën e “mbështetjes së Presidentit autoritar serb, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia".
Kirby nuk bën komente të mëtejshme në reagimin për Zërin e Amerikës. Në artikullin redaksional, media amerikane e cilëson si të dështuar qëndrimin e Biden. Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.
“Washington Post” shkruan se Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç “akuzuan Perëndimin për protestat” dhe i quajtën ato “një përpjekje për të rrëzuar qeverinë”.
“Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit e duke u rreshtuar me Moskën, Vuçiç fiton pikë para grupeve nacionaliste, ndërsa kundërshtarët e tij demokratë, i etiketon si shërbëtorë të interesave të huaja”.
Uashington Post thotë se presidenti serb në takimet private i siguron vazhdimisht zyrtarët perëndimorë se ai “po bën përpjekjet më të mira të mundshme që kombi i tij "i pabindur" të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se ai është partneri i tyre, i vetëm dhe i besueshëm”.
Sipas Washington Post, administrata Biden e bazoi politikën e saj paqtuese, te garancitë që Vuçiç u ka dhënë privatisht.
Artikulli thekson se pavarësisht gjurmëve serbe në krizat e rrezikshme, gjatë vitit të kaluar në Kosovën fqinje, SHBA-ja ka shmangur fajësimin e qartë të njërës palë. (A2 Televizion)