Pas disa muajve qetësie, banorët e Gazës u rizgjuan në zhurmën e bombave këtë të martë, teksa Izraeli ndërmori valën më të madhe të sulmeve ajrore duke i dhënë fund armëpushimit dymujor.
Siç bëhet e ditur, të paktën 330 persona mbetën të vrarë rreth territorit, pasi kryeministri Benjamin Netanjahu tha se kishte udhëzuar ushtrinë të ndërmerrte veprime të forta kundër grupit palestinez të Hamasit, në kundërgjigje të refuzimit të tij për të liruar pengjet që mbetën, shkruan A2 CNN.
“Deklarata e Zyrës së Netanjahut: Izraeli, nga tani do të veprojë kundër Hamasit me forcë të shtuar ushtarake. Plani operacional u prezantua nga IDF gjatë fundjavës dhe u miratua nga lidershipi politik.”
Pas bombardimeve intensive, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për një numër lagjesh në Gaza. Hamas, ndërkohë, akuzoi Izraelin se shkatërroi marrëveshjen e arritur me aq vështirësi për armëpushimin, duke e lënë në pikëpyetje fatin e 59 pengjeve në Gaza.
Sulmet ajrore shënjestruan zona të ndryshme rreth territorit, me autoritetet shëndetësore që thanë se mes viktimave janë shumë fëmijë. Izraeli pretendon se ka goditur dhjetëra objekte të Hamasit, duke vrarë edhe Muhamed Al Jmasi, një eksponent i lartë i degës politike të grupit, bashkë me familjarët e tij. Mes viktimave janë edhe 16 anëtarë të një familje në Rafah.
Sulmet ishin të një shkallë shumë më të lartë se sa ato të zakonshme me dron, dhe vijnë pas disa javësh përpjekjesh të dështuara për të shtyrë armëpushimin e dakordësuar në 19 janar. Egjipti dhe Katari u përpoqën të sheshonin mosmarrveshjet mes palëve gjatë negociatave, në doha, pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit, ku u liruan 33 pengje izraelitë dhe 5 tajlandezë në këmbim të 2 mijë të burgosurve.
Ndërsa Izraeli, me mbështetjen e SHBA, kërkonte rikthimin e pengjeve të mbetura për të zgjatur armëpushimin deri në fund të muajit të Ramazanit, Hamasi këmbënguli për një armëpushim të përhershëm me tërheqjen e plotë të trupave izraelite. (A2 Televizion)