Zyrtarë rusë dhe ukrainas janë ulur sot në tryezën e bisedimeve në Stamboll, për raundin e dytë të negociatave të drejtpërdrejta të paqes që prej vitit 2022. Megjithatë, një ditë pasi Kievi goditi disa prej bombarduesve me kapacitet bërthamor të Moskës, pritshmëritë për ndonjë marrëveshje janë të ulëta.
Dy palët pritet të diskutojnë lidhur me idetë respektive mbi atë se si do të duket një armëpushim i plotë, mes mosmarrëveshjeve të thella dhe presionit të presidentit Trump, i cili ka kërcënuar të tërhiqet nga bisedimet, shkruan A2 CNN.
Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit të Moskës, tha se Rusia kishte marrë një draft memorandum të hartuar nga Ukraina për një marrëveshje paqeje, në prag të bisedimeve. Por nga Kievi nuk ka ende një reagim sa i përket draftit rus. Delegacioni ukrainas do të drejtohet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov.
Raundi i parë i bisedimeve në Stamboll, më 16 maj, prodhoi si rezultat këmbimin e 1 mijë të burgosurve mes palëve, por nuk dha sinjale për paqe të afërt. Duke folur nga Lituania, ku po merr pjesë në një samit të NATO-s, presidenti Zelenski tha se Kievi është gati të ndërmarrë hapa drejt paqes, ndërsa theksoi se armëpushimi dhe çështjet humanitare do të jenë prioritet i tyre në bisedimet e Stambollit. (A2 Televizion)