Paralajmërimet e Putinit se përdorimi i armëve perëndimore në tokën ruse do të ketë pasoja të rënda, nuk e frikëson Britaninë e Madhe. Ministria e mbrojtjes në Londër, tha se Kievi ishte i lirë të përdorte armët britanike kundër territorit të shtetit fqinj, teksa mbron veten.
“Ukraina ka të gjithë të drejtën të vetëmbrohet kundër sulmeve të paligjshme. Kjo nuk përjashton as operacionet brenda Rusisë”, pohoi zëdhënësi.
Megjithatë ai shtoi se armët e dhuruara duhet të përdoren në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ish-ministri konservator i Mbrojtjes Ben Wallace, ka thënë më herët se të gjitha municionet e siguruara nga Britania e Madhe mund të përdoren për të goditur Rusinë, përveç raketave me rreze të gjatë Storm Shadow. Këto të fundit lejohet të përdoren për mbrojtje vetëm brenda kufijve ukrainas. (A2 Televizion)