Britania hap portal për rekrutimin e spiunëve të huaj, MI6 do të operojë në "dark web"

Nga A2 CNN
19 Shtator 2025, 19:46 | Bota

Britania hap portal për rekrutimin e spiunëve të huaj, MI6 do

Agjencia e spiunazhit të Mbretërisë së Bashkuar po lançon një portal të ri në "dark web" për të rekrutuar informatorë dhe për të marrë informacione sekrete nga agjentë në Rusi dhe në mbarë botën.

Sipas deklaratës së Zyrës së Jashtme, të Komonuelthit dhe Zhvillimit të Britanisë, shërbimi Sekret i Inteligjencës, i njohur ndryshe si MI6, do të shpallë zyrtarisht nisjen e platformës së re të mesazheve të sigurta, të quajtur “Korrieri i Heshtur”.

Qëllimi i këtij portali është të shfrytëzojë anonimitetin që ofron dark web – pjesa e fshehtë dhe më pak e aksesueshme e internetit, e cila përdoret shpesh nga aktorë kriminalë – për të mundësuar që kushdo, nga kudo në botë, të kontaktojë MI6 në mënyrë të sigurt.

Përdoruesit mund të dërgojnë informacione të fshehta për aktivitete të paligjshme në çdo cep të botës, ose të ofrojnë shërbimet e tyre për agjencinë britanike të inteligjencës, sipas një deklarate zyrtare të Zyrës së Jashtme.

Shefi aktual i MI6, Sir Richard Moore, i cili do t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij Blaise Metreweli më vonë këtë muaj, e shpalli zyrtarisht hapjen e portalit këtë të premte në një ngjarje në Stamboll.

“Në ditët e sotme, po u bëjmë thirrje atyre që kanë informacione të ndjeshme për paqëndrueshmërinë globale, terrorizmin ndërkombëtar ose aktivitetet e inteligjencës nga shtete armiqësore që të na kontaktojnë në mënyrë të sigurt online. Porta jonë virtuale është e hapur për ju”, deklaroi Moore gjatë prezantimit.

Udhëzimet për përdorimin e këtij portali do të jenë të disponueshme publikisht në kanalin zyrtar të MI6 në YouTube. Përdoruesit inkurajohen ti qasen portalit përmes VPN-ve dhe nga pajisje që nuk lidhen me identitetin e tyre real.

Përpara nisjes së portalit, Sekretarja e re e Jashtme, Yvette Cooper, deklaroi se “siguria kombëtare është detyra e parë e çdo qeverie dhe themeli i Planit për Ndryshim të kryeministrit” – duke iu referuar një plani të përmirësimit kombëtar të paraqitur nga lideri i Partisë Laburiste, Keir Starmer, në dhjetor.

“Ndërsa bota ndryshon dhe kërcënimet shumëfishohen, duhet të sigurohemi që Britania të jetë gjithmonë një hap përpara kundërshtarëve të saj. Tani po i forcojmë përpjekjet e tyre me teknologji moderne, në mënyrë që MI6 të rekrutojë spiunë të rinj për Mbretërinë e Bashkuar në Rusi dhe në të gjithë botën”, shtoi Cooper. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos