Izraeli nisi një valë sulmesh me më shumë se 50 avionë në vendet ku prodhohen raketat iraniane gjatë natës.
“Më shumë se 50 avionë luftarakë të Forcave Ajrore, nën udhëzime të sakta të inteligjencës, kanë përfunduar një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në zonën e Teheranit në orët e fundit", thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Midis këtyre objektivave ishin vende të përdorura për të prodhuar raketa tokë-tokë dhe tokë-ajër, shkruan A2.
Izraeli tha gjithashtu se kishte sulmuar një strukturë prodhimi centrifugash në Teheran me qëllim pengimin e "programit të zhvillimit të armëve bërthamore" të Iranit.
"Regjimi iranian po pasuron uranium të destinuar për zhvillimin e armëve bërthamore", tha ushtria izraelite.
Zyrtarët e ushtrisë dhe inteligjencës amerikane kanë thënë prej kohësh se SHBA-të dhe Izraeli shpesh e interpretojnë ndryshe informacionin mbi programin bërthamor të Iranit.
Në muajin mars, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dëshmoi se komuniteti i inteligjencës amerikane kishte vlerësuar se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, nuk kishte autorizuar rifillimin e programit të armëve bërthamore që ai e pezulloi në vitin 2003. (A2 Televizion)