CIA po armatos kurdët, SHBA nxit grupet opozitare drejt kryengritjes popullore

Nga Rosalba Bejdo
4 Mars 2026, 11:55 | Bota

CIA po punon për të armatosur forcat kurde me qëllimin e nxitjes së një kryengritjeje popullore në Iran. Lajmin e raporton CNN, që citon një sërë burimesh me dijeni mbi çështjen. Administrata Trump po zhvillon diskutime aktive me grupet opozitare të Iranit dhe udhëheqësit kurdë në Irak për t’u siguruar atyre mbështetje ushtarake.

Grupet e armatosura kurde në Iran kanë mijëra forca që operojnë përgjatë kufirit me Irakun, kryesisht në rajonin irakian të Kurdistanit.

Disa prej grupeve kanë publikuar deklarata që prej fillimit të luftës, të cilat sugjerojnë një aksion të shpejtë, ndërsa u bëjnë thirrje forcave ushtarake iraniane të dezertojnë. Garda Revolucionare e Iranit ka vënë në shënjestër të sulmeve forcat kurde dhe tha të martën se kishte goditur bazat e tyre me dhjetëra dronë.

Po të martën, presidenti amerikan Donald Trump bisedoi në telefon me kreun e Partisë Demokratike të Kurdistanit në Iran, Mustafa Hijri, siç bëri me dije një zyrtar i lartë kurd. I cituar nga CNN ai tha se forcat opozitare kurde do të marrin pjesë në operacione tokësore në Iranin perëndimor gjatë ditëve në vazhdim.

“Besoj se kemi një shans të madh tani”, tha burimi, teksa shpjegoi se presin mbështetje nga SHBA dhe Izraeli. Trump foli të dielën edhe me liderët e kurdëve në Irak për të diskutuar operacionin ushtarak në Iran dhe mënyrat se si SHBA mund të bashkëpunojë me kurdët, siç bënë me dije dy zyrtarë të tjerë amerikanë. Çdo përpjekje për të armatosur grupet kurde në Iran do të duhej të kishte mbështetjen e kurdëve të Irakut për të lejuar tranzitin e armëve dhe përdorimin e Kurdistanit si trampolinë sulmesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos