
Forcat ekuadoriane dhe amerikane kanë nisur operacione kundër atyre që i konsideruan si organizata terroriste në vendin e Amerikës së Jugut, tha të martën Komanda Jugore e ushtrisë amerikane.
Kjo e fundit bën me dije se aksioni kishte për qëllim luftimin e trafikut të paligjshëm të drogës, por nuk dha më shumë detaje në një deklaratë në “X”, raporton A2CNN.
Njoftimi vjen një ditë pasi Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, tha se SHBA-të ishin midis "aleatëve rajonalë" që merrnin pjesë në një "fazë të re" të luftës së Ekuadorit kundër karteleve të drogës.
Noboa thotë se rreth 70% e kokainës në botë tani rrjedh nëpër portet e mëdha të Ekuadorit, duke e bërë atë një vend fitimprurës për bandat e trafikimit të drogës. Po ashtu vlen për t’u përmendur që Ekuadori është fqinj me Kolumbinë dhe Perunë, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.
Operacionet e fundit vijnë katër muaj pasi ekuadorianët i shuan shpresat e SHBA-së për të zgjeruar praninë e saj në rajonin lindor të Paqësorit duke votuar kundër lejimit të kthimit të bazave ushtarake të huaja në vend.
Rezultati i referendumit ishte një goditje për Noboan, një aleat i ngushtë i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili po përpiqet të luftojë krimin e organizuar dhe të zvogëlojë dhunën në rritje. Vitet e fundit, vendi është kthyer në një nga pikat më të mëdha të trafikimit të drogës në botë.
Të hënën, Noboa zhvilloi bisedime në Quito me shefin e Komandës Jugore të SHBA-së, Francis Donovan, dhe Mark Schafer, kreun e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe Karaibe.
Gjatë takimit, ata diskutuan planet për ndarjen e informacionit dhe koordinimin operacional në aeroporte dhe porte detare, tha zyra e Noboas në një deklaratë.
"Së bashku, po ndërmarrim veprime vendimtare për t'u përballur me narko-terroristët të cilët prej kohësh kanë shkaktuar terror, dhunë dhe kanë bërë korrupsion në të gjithë hemisferën", tha të martën Komanda Jugore e SHBA-së.
Njoftimi vjen tre muaj pasi Uashingtoni njoftoi një vendosje të përkohshme të personelit të Forcave Ajrore në ish-bazën amerikane në qytetin portual të Mantës. Luftimi i trafikut të drogës në rajon është një përparësi kyçe për SHBA-në. (A2 Televizion)