Dhoma gjumi, banjo, zyra mjekësh dhe madje edhe hapësira intime në shtëpi janë bërë sërish qendër e një biznesi të paligjshëm që gjeneron miliona dollarë. Pas zbulimeve të javës së kaluar në lidhje me një portali të huaj që lejonte spiunimin e jetës private të njerëzve, kompania Yarix, ka identifikuar dhjetë faqe interneti të tjera që transmetojnë pamje të vjedhura nga kamerat e mbikëqyrjes. Portalet, të gjitha me domene të huaja, janë raportuar në policinë postare të Venecias dhe tek autoritetet gjyqësore, të cilat po zgjerojnë hetimin e tyre mbi shpërndarjen e paligjshme të përmbajtjes. Ndërkohë, forcat e rendit kanë siguruar heqjen e videove nga kamerat e instaluara në Itali, megjithëse faqet mbeten aktive.
"Faqet e zbuluara përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të një universi shumë më të madh dhe më të fshehur", shpjegoi për La Tribuna di Treviso Diego Marson, Drejtor Teknik në Yarix. Sipas ekspertit, pas motorëve të kërkimit qëndron një rrjet paralel platformash të arritshme vetëm përmes adresave të paindeksuara ose të shkëmbyera në biseda të mbyllura në sistemet e mesazheve. Pasi publikohen, videot nuk zhduken kurrë. Mjafton që dikush t'i shkarkojë dhe rishpërndajë ato, duke e bërë të pamundur ndalimin e zinxhirit të ndarjes.
Si në rastin e mëparshëm mekanizmi vepron me klipe të shkurtra falas për të tërhequr përdoruesit, pastaj opsioni për të blerë akses në kamerat live, duke marrë në mënyrë efektive kontrollin e tyre. Tarifat variojnë nga 20 deri në 600 dollarë, varësisht nga popullariteti i videove, të cilat mund të arrijnë deri në 20,000 shikime. Transaksionet përpunohen nëpërmjet Telegram dhe kryhen në kriptovaluta, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e organizatorëve. Ky fenomen tregon se sa e cenueshme është privatësia e atyre që instalojnë kamera sigurie në shtëpitë ose vendet e tyre të punës.
(A2 Televizion)