Dhuna ndaj tifozëve izraelitë, Netanyahu: Sulm i paramenduar mirë në Amsterdam

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2024, 17:42 | Bota

Dhuna ndaj tifozëve izraelitë, Netanyahu: Sulm i paramenduar mirë

Amsterdami është përfshirë nga kaosi pas dhunës së ndodhur kundër tifozerisë izraelite, e cila mbështeste skuadën e Maccabi Tel Aviv.

Tifozët izraelitë u sulmuan në Amsterdam nga një grup pro-palestinezësh, pas përfundimit të ndeshjes së Europa League, kundër Ajax. Dhjetë persona u plagosën, pati edhe dhjetëra të arrestuar. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të dy avionëve shpëtimtarë në Amsterdam.

Policia holandeze tha se u raportua për disa përleshje në qendër të qytetit pas ndeshjes së futbollit mes Ajaxit dhe klubit izraelit Maccabi Tel Aviv të enjten mbrëma, shkruan A2 CNN.

"Një sulm i paramenduar antisemitik në Amsterdam", e cilësoi Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ngjarjen e ndodhur në Holandë. 

Ministria e Sigurisë Kombëtare të Izraelit u bëri thirrje izraelitëve në qytetin holandez të qëndrojnë brenda dhomave të hoteleve të tyre pas incidenteve të dhunshme, tha zyra e Netanyahut në një komunikatë tjetër.

“Tifozët, të cilët shkuan për ta parë ndeshjen, u përballën me antisemitizëm dhe u sulmuan me mizori të paparashikueshme, thjesht sepse janë hebrenj dhe izraelitë”, tha ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Ben-Gvir, në X.

Policia holandeze tha se 57 persona janë ndaluar pas ndeshjes, pasi protestuesit propalestinezë u përpoqën të arrinin afër stadiumit “Johan Cruyff”, edhe pse komuna nuk u kishte dhënë leje për protestë atje. Policia shtoi se tifozët u larguan nga stadiumi pa asnjë incident, por gjatë natës ndodhën përleshje të ndryshme në qendër të qytetit.

Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, tha në X se ishte i “tmerruar” nga raportimet për dhunë në Amsterdam. “Sulme plotësisht të papranueshme antisemitike ndaj izraelitëve. Jam në kontakt me të gjithë të përfshirët”, tha ai, duke shtuar se bisedoi me Netanyahun dhe “theksova se përgjegjësit do të ndiqen dhe do të përballen me drejtësi”. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se i dënon sulmet ndaj tifozëve të ekipit izraelit të futbollit në Amsterdam. “I dënoj fuqishëm këto akte të papranueshme. Antisemitizmi nuk ka vend në Evropë. Ne jemi të vendosur t’i luftojmë të gjitha format e urrejtjes”, tha ajo.

Politikani antimysliman, Geert Ëilders, i cili është lider i partisë më të madhe në Qeverinë holandeze, i dënoi sulmet e raportuara në Amsterdam. “Ndihem i turpëruar se kjo mund të ndodhë në Holandë. E papranueshme”, shkroi ai në X. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos